Mustafa e Osmani: S’ka vendim për t’i ngrirë bisedimet me VV-në, marrëveshja pas certifikimit të rezultateve

Aktuale

Mustafa e Osmani: S’ka vendim për t’i ngrirë bisedimet me VV-në, marrëveshja pas certifikimit të rezultateve

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 16:59
Vjosa Osmani, Isa Mustafa dhe Volkmar Klein

( E plotësuar) - Kryesia e LDK nuk ka marrë asnjë vendim për të ngrirë diskutimet me LVV. Kështu ka deklaruar kryetari i LDK, Isa Mustafa dhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani, të cilët thanë se takimet do të vazhdojnë, por vetëm për marrëveshjen finale do të pritet certifikimi i rezultateve.

Këto komente janë bërë pas takimit që kreu i LDK-së ka pasur me deputetin e CDU-së në Bundestag, Volkmar Klein.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se e ka njoftuar për të gjitha proceset në të cilat po kalon vendi.

"E falënderova për përkrahjen e Gjermanisë dhe theksova nevojën që edhe më tutje të kemi përkrahjen e Gjermanisë. Sa i përket procesit zgjedhor, e njoftova se ky proces ende nuk ka përfunduar, fituesi përfundimtar do të përcaktohet nga rezultatet ku do të certifikohen. E njoftova se ne kemi biseduar me LVV për mundësinë e një koalicioni të përbashkët, ky koalicion mund të bëhet dhe jemi marrë vesh që javëve të ardhshme do të takohemi për harmonizim të programit", tha ai.

Kurse, deputeti i CDU-së në Bundestag, Volkmar Klein,uroi LDK-në për suksesin në zgjedhet e parakoshme.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, bëri të ditur se nuk janë ngrirë bisedimet me LVV për koalicion.

"Sa i përket bashkëqeverisjes me VV në kryesi nuk ka vendim për të ngrirë asgjë. Jemi marrë vesh që marrëveshja finale mund të bëhet vetëm kur të certifikohen zgjedhjet, deri atëherë do të takohemi për programin qeverisës. Sa i përket partisë së parë ekzistojnë rregullat e KQZ dhe atë pati që e qet KQZ të parën", tha ai.

I pyetur se a e pranon LDK, Albin Kurtin për kryeministër, Mustafa tha se për ta më së lehti kishte me qenë Vjosa kryeministër.

"Mas lehti kish me qenë me e pas Vjosën kryeministre", tha ai.

Kurse, kandidatja e LDK për kryeministre Vjosa Osmani, e pyetur për deklaratat e nënkryetarit Agim Veliu tha se nuk e di për çfarë deklaratash bëhet fjalë.

"Për besë nuk e di për çfarë deklaratash, disponoi në kryesi ka qenë shumë i mirë dhe nuk ka pasur asnjë vendim për të ngrirë bisedimet me LVV, do të vazhdojnë bisedimet për program. LDK në këto zgjedhje ka marrë rezultatin më të mirë prej vitit 2004", tha ajo.

Për grupet punese, ajo tha se do të krijohen varësisht nga temat.

"Varen nga temat, por ne e kemi një ekip që e kemi që ka diskutuar para Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku. Por varësisht nga temat, p.sh për drejtësi i kemi juristët, për ekonomi ashtu, për arsim. Na duhet harmonizim për disa tema të rëndësishme", tha ajo.

***

Vetëm një ditë pas dakordimit mes drejtuesve të partive politike, VV – LDK, për një koalicion të mundshëm paszgjedhor dhe krijimin e grupeve punuese për zhvillimin e negociatave mes këtyre dy partive, sot kryesia e LDK-së, vendosi që negociatat me Vetëvendosjen mund të zhvillohen vetëm pas certifikimit të rezultateve.

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së që zgjati më shumë se dy orë, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa theksoi se në mbledhje është diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor, derisa shtoi se negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje do të zhvillohen në momentin e certifikimit të rezultateve, ngase sipas tij, është një rezultat i ngushtë mes LDK dhe VV.

Mustafa: Negociatat me LVV-në do t’i zhvillojmë pas certifikimit të rezultateve

 “Sot në kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, diskutuam edhe një herë faktin se kemi një rezultat mjaft të ngushtë me Lëvizjen vetëvendosje, pra, jemi 50/50, atëherë po presim certifikimin e rezultateve finale nga ana e KQZ-së dhe pas këtij numërimi final dhe siç dihet edhe një pjesë e vendvotimeve do të rinumërohen. Andaj, do të presim rezultatin final, duke mos përjashtuar edhe rreth 45 mijë votave qoftë nga mërgata, me kusht dhe atyre me aftësi të kufizuara. Pra, kemi një numër mjaft të madh të votave që do të numërohen dhe rinumërohen, prandaj, negociatat për një koalicion të mundshëm do t’i zhvillojmë në momentin e certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së”, theksoi Mustafa.  

Zëdhënësi Mustafa nuk është përgjigjur se sot në këtë mbledhje është formuar apo jo grupi punues për negociata me VV-në për koalicion pas zgjedhor.

Mirëpo Mustafa komentoi deklaratat për media të nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, i cili ka thënë se LDK-ja nuk ka dalë mirë në këtë proces zgjedhor.

Po ashtu, zëdhënësi Mustafa tha se kjo parti do të respektoi vullnetin e qytetarëve pas certifikimit të rezultateve për pozitën e kryeministrit.

Mustafa: Pavarësisht se kush do të del partia e parë, ne do ta respektojmë

“Do të presim certifikimin e rezultateve, në momentin që  kemi rezultatin final pavarësisht se kush do të del partia e parë, ne do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve, vullnetin e votuesve dhe konform këtij rezultati do t’i zhvillojmë edhe negociatat për një koalicion të mundshëm... Ne sot kemi diskutuar për faktin që kemi një rezultat mjaft të ngushtë në mes vendit të parë dhe të dytë, më pak se 5 mijë vota ose 2500 vota në mes këtyre dy partive... Thash, të gjitha zhvillimet e negociatave do i bëjmë në momentin kur certifikohen rezultatet. Takimi i radhës me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket zhvillimit të negociatave do të jetë vetëm pas certifikimit të rezultateve”, tha ai.  

Ndryshe, LDK-ja dhe VV-ja, dje kishin paraparë që gjatë ditës së sotme të angazhonin ekipet për t’u dakorduar për programin qeverisës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat