E thotë edhe Vjosa: S’kemi ngrirje të bisedimeve me VV-në, vazhdojnë në një formë tjetër!

Aktuale

E thotë edhe Vjosa: S’kemi ngrirje të bisedimeve me VV-në, vazhdojnë në një formë tjetër!

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 17:18
Mustafa dhe Osmani me deputetin e CDU-së në Bundestag, Volkmar Klein

(E plotësuar) -  Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka hedhur poshtë raportimet se partia e Isa Mustafës ka ngrirë bisedimet me Lëvizjen “Vetëvendosje” rreth krijimit të Qeverisë.

Ndonëse u raportua se bisedimet do të vazhdojnë pas certifikimit të KQZ-së, ndryshe u deklarua Osmani në një konferencë për media.

“Nuk e di çfarë deklarata kanë qenë ato. Disponimi në kryesi ka qenë shumë i mirë. S’ka pas diskutim për me ngri diskutimet. Por do të vazhdojnë në nivel të ekspertëve, do t diskutohen çështjet programore. Kjo ka qenë”, është shprehur ajo. 

Mustafa e Osmani: S’ka vendim për t’i ngrirë bisedimet me VV-në, marrëveshja pas certifikimit të rezultateve

Kryesia e LDK nuk ka marrë asnjë vendim për të ngrirë diskutimet me LVV. Kështu ka deklaruar kryetari i LDK, Isa Mustafa dhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani, të cilët thanë se takimet do të vazhdojnë, por vetëm për marrëveshjen finale do të pritet certifikimi i rezultateve.

Këto komente janë bërë pas takimit që kreu i LDK-së ka pasur me deputetin e CDU-së në Bundestag, Volkmar Klein.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se e ka njoftuar për të gjitha proceset në të cilat po kalon vendi.

"E falënderova për përkrahjen e Gjermanisë dhe theksova nevojën që edhe më tutje të kemi përkrahjen e Gjermanisë. Sa i përket procesit zgjedhor, e njoftova se ky proces ende nuk ka përfunduar, fituesi përfundimtar do të përcaktohet nga rezultatet ku do të certifikohen. E njoftova se ne kemi biseduar me LVV për mundësinë e një koalicioni të përbashkët, ky koalicion mund të bëhet dhe jemi marrë vesh që javëve të ardhshme do të takohemi për harmonizim të programit", tha ai.

Kurse, deputeti i CDU-së në Bundestag, Volkmar Klein,uroi LDK-në për suksesin në zgjedhet e parakoshme.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, bëri të ditur se nuk janë ngrirë bisedimet me LVV për koalicion.

"Sa i përket bashkëqeverisjes me VV në kryesi nuk ka vendim për të ngrirë asgjë. Jemi marrë vesh që marrëveshja finale mund të bëhet vetëm kur të certifikohen zgjedhjet, deri atëherë do të takohemi për programin qeverisës. Sa i përket partisë së parë ekzistojnë rregullat e KQZ dhe atë pati që e qet KQZ të parën", tha ai.

I pyetur se a e pranon LDK, Albin Kurtin për kryeministër, Mustafa tha se për ta më së lehti kishte me qenë Vjosa kryeministër.

"Mas lehti kish me qenë me e pas Vjosën kryeministre", tha ai.

Kurse, kandidatja e LDK për kryeministre Vjosa Osmani, e pyetur për deklaratat e nënkryetarit Agim Veliu tha se nuk e di për çfarë deklaratash bëhet fjalë.

"Për besë nuk e di për çfarë deklaratash, disponoi në kryesi ka qenë shumë i mirë dhe nuk ka pasur asnjë vendim për të ngrirë bisedimet me LVV, do të vazhdojnë bisedimet për program. LDK në këto zgjedhje ka marrë rezultatin më të mirë prej vitit 2004", tha ajo.

Për grupet punese, ajo tha se do të krijohen varësisht nga temat.

"Varen nga temat, por ne e kemi një ekip që e kemi që ka diskutuar para Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku. Por varësisht nga temat, p.sh për drejtësi i kemi juristët, për ekonomi ashtu, për arsim. Na duhet harmonizim për disa tema të rëndësishme", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat