Reagon MPJ: Shkrimtarit Handke duhet t’i merret çmimi Nobel

Aktuale

Reagon MPJ: Shkrimtarit Handke duhet t’i merret çmimi Nobel

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 17:35
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë për ndarjen e çmimit ‘Nobel’ shkrimtarit austriak Peter Handke, përkrahësit të Sllobodan Millosheviqit, të akuzuarit për gjenocid e krime kundër njerëzimit në Kosovë dhe njësi të tjera të ish-Jugosllavisë.

Në një komunikatë për media, MPJ ka kërkuar që të njëjtit t’i merret çmimi.

Kjo ministri ka kërkuar nga Akademia Suedeze të rishqyrtojë dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi një njeriu që mund të jetë gjenial si shkrimtar, por që në jetën publike është treguar mohues i të drejtave të njeriut duke dalë publikisht në anën e dikujt që më pas vdiq në Hagë si i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte.

“Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave, institucion me renome botërore, ndan çmimin prestigjioz Nobel për fusha të ndryshme bazuar në vlerësimin profesional, moral dhe etik. Mirëpo, neve gjykojmë që kësaj radhe çmimi i është dhënë njeriut të gabuar – mohuesit të gjenocidit”, thuhet në reagim.

“Emri i Petar Handke në Kosovë është sinonim i së keqes, mbështetës i një pushteti shovinist. Çmimet që i ndahen një njeriu të këtillë zhvlerësojnë përpjekjet e shoqërive demokratike për një botë paqedashëse. Nuk e nderojnë asnjë institucion akademik, as Akademinë Suedeze. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kapitulli II, Të Drejtat dhe Liritë Themelore, Neni 21, Pika 3 thuhet: Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve. Prandaj, bazuar në Kushtetutën tonë, populli i Kosovës të paktën, nuk mund të ketë respekt për veprën e z.Handke, dhe ndjehet i fyer që çmimi iu nda njeriut që dikur ia uronte ferrin”, thuhet në këtë komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat