Gjithçka rreth helmimit nga kutitë e zarfeve me vota

Aktuale

Gjithçka rreth helmimit nga kutitë e zarfeve me vota

Më: 13 tetor 2019 Në ora: 20:58
Pamje nga vendi i ngjarjes

Sot në orën 09:00 të mëngjesit, në Qendrën e Verifikimit të votave kishte filluar procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia me postë për zgjedhjet e 6 tetorit. Procesi ishte i mbikqyrur maksimalisht pasi që kishte raportime në medie se kishte parregullsi në pakot e zarfeve me vota të diasporës. Aty ishin vërejtur zarfe që nuk kanë fare të bëjnë me votim.

Megjithatë kësaj radhe zarfat e votimit kishin një tjetër problem. Në orën 11:21, Gazeta Express kishte raportuar se procesi i numërimit është ndërprerë. Arsyeja ishte se zarfet kundërmonin. Verifikuesit kishin pësuar alergji pasi kishin prekur zarfet me votat e ardhura nga Serbia.

Disa prej verifikuesve u është shfaqur alergji në fytyrë dhe duar. Plot 26 zyrtarë që për detyrë kishin numërimin e zarfeve ishin helmuar dhe ishin paraqitur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ‘Fehmi Agani’, në Prishtinë.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit të Votuesve. Sipas tij, zyrtarët kanë shenja të alergjisë në fytyrë dhe në duar.

Ai ka deklaruar se janë 5 kuti rreth 80 litërshe që kanë ardhur nga Serbia me vota të cilat pas hapjes kanë kutërbuar.

“Janë diku rreth 26 zyrtarë që janë helmuar pra kanë marrë alergji në duar dhe fytyrë. Ne në mëngjes i kemi pas zarfet edhe aty zyrtarëve u është shfaqë alergjia. Janë 5 kuti rreth 80 litërshe që kanë ardhur nga Serbia”, ka deklaruar Buzhala për Express.

Vlen të përmendet se në qendrën e numrimit dhe rezultateve edhe të dielën po vazhdohej me rinumërimin e vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ’ja.

Ndërkohë, 26 të lënduarit ishin paraqitur në qendrën mjekësore Fehmi Agani me kruarje, djegie dhe temperaturë. Të gjithë këta persona janë trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ‘Fehmi Agani’, në Prishtinë, ndërkohë tutje janë referuar nga mjekët e kësaj qendre për në QKUK.

“Të gjithë këta pacientë ishin tek ne. I trajtuam, mirëpo i referuam për në QKUK. Kishin temperaturë, djegie e kruarje në fytyrë e duar. Ishin të shqetësuar”, kanë thënë për Express, zyrtarë të QKMF’së.

Dy prej të helmuarve ishin gra shtatëzëna.

“Në ora,11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femrore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intenzitetit të ultë. Dy nga to kanë patur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, deklarohen për Express, zyrtarë ngta zyra e drejtorit të SHsKUK’së.

Sipas tyre pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfave brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.

“Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore. Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar.

9 prej 26 pacientëve të helmuar janë shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK’së. Këta pacientë tashmë i janë nënshtruar kontrolleve nga infektologët e QKUK’së.

“Gjendja është stabile. Kanë pasur disa skuqje. Janë nëntë persona që po trajtohen”, i ka thënë Gazetës Express, drejtori i Shërbimit Klinik dhe Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu

Gazeta Express ka mësuar mënyrën se si janë helmuar zyrtarët e KQZ’së.

Vëzhguesi i organizatës GERMIN, Shpëtim Shujaku i ka thënë KP, se 26 zyrtarët e KQZ-së, në momentin që kanë hapur zarfet, kanë filluar me pas reaksione, disa kanë pas skuqje në dorë, kruarje dhe disa shenja për rreth syve.

“Në momentin që janë hap këto zarfe kanë pas një erë shumë të rënd dhe kanë kundërmuar dhe pastaj me vazhdimin e procesin kur kanë hap , disa prej zyrtarëve të KQZ që kanë pas kontakt fizik me këto zarfe kanë filluar me pas reaksione, disa kanë pas skuqje në dorë, kruarje dhe disa shenja për rreth syve. Pastaj u marrë vendimi prej zyrtarit kryesor Besnik Buzhala që procesi me u suspendu për një kohë të pacaktuar, derisa të bëhet verifikimi pakove nga Forenzika”, tha ai.

“Unë personalisht nuk kam pas problem me to, por 6 prej punëtorëve që kanë qenë këtu, pas udhëzimit që kanë marrë në qendrën e mjekësisë familjare, janë dërguar drejt në infektiv. Kurse pjesa tjetër e punëtorëve që kemi qenë këtu jemi duke u kontrolluar te ambulanca emergjente që ka ardhe në vend”, tha ai duke shtuar se përveç 26 zyrtarëve, aty kanë qenë edhe rreth 10 persona tjerë.

E ndërkohë, me gjithë rastin tashmë po merret edhe policia e Kosovës. Kjo e fundit i ka nisur hetimet.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Policia posedon informacionin e tillë, ndërsa lidhur me detaje ne ketë fazë adresohuni KQZ’së dhe autoriteteve shëndetësore. Ne po e trajtojmë rastin”, ka deklaruar Hoxha.

Policia nuk ka lejuar asnjë zyrtarë apo qytetarë që t’i afrohet qendrës së votimit ku ishin helmuar zyrtarët.

Prokurorët Special të Prokrurorisë së Kosovës kanë dal në vendin e ngjarjes ku dyshohet se u helmuan 26 zyrtarë të angazhuar nga KQZ në procesin e verifikimit të votave të ardhura nga jashtë Kosovës saktësisht nga Serbia. Zyrtarët kanë pësuar alergji pas kontaktit me këto zarfe.

E me rastin, tashmë sic duket po merret edhe Prokuroria Speciale e Kosovës. Një prokuror i specializuar ëhstë në vendin e ngjarjes.

Kështu ka deklaruar, Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Një prokuror i Prokurorisë Speciale ka dal në vendin e ngjarjes në QNR”, i ka thënë shkurt Gazetës Lutfiu.

Disa anëtar të KQZ-së janë paraqitur afër QNR-së, ku u helmuan 26 zyrtarë nga kundërmimi i zarfeve të votave nga Serbia. Policia nuk i ka lejuar ata që të shkojnë tek vendi ku ka ndodhur rasti për shkaqe sigurie.

Për momentin i gjithë vendi është izoluar dhe Policia ka rritur numrin e forcave policore. Helmimi ndodhi në ndërtesën e Ministrisë së Infrastrukturës, aty ku po verifikoheshin votat e serbëve.

E çuditërisht, zyrtarë nga shteti i Serbisë kanë deklaruar se i gjithë rasti është i inskenuar dhe kanë përfshirë edhe fituesin e zgjedhjeve të sivjetme në Kosovë në këtë skandal. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, e ka paralajmëruar opinionin vendor e atë ndërkombëtar se ky manipulim po bëhet me qëllim që me çdo kusht në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht vullnetit të serbëve, të futen ‘serbët e Kurtit’.

Presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se gjatë ditës së diel, anëtarët e kësaj partie janë larguar nga hapësirat e Qendrës për Numërim të Votave në Prishtinë, duke shtuar se aktualisht po ndodh vjedhja e votave serbe, për ta përmbysur vullnetin zgjedhor.

Ndërkohë reagime për rastin kanë ardhur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë. Ata kanë kërkuar që autoritetet shtetërore t’i hetojnë shkaqet e helmimit.

“Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë”, theksohet në reagim.

“Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thotë VV’ja në reagimin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat