BE: Çështja e noterëve të rinj t’i lihet Qeverisë së re të Kosovës

Aktuale

BE: Çështja e noterëve të rinj t’i lihet Qeverisë së re të Kosovës

Më: 14 tetor 2019 Në ora: 12:26
Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga institucionet në largim të Kosovës që të mos marrin vendim për përzgjedhjen dhe emërimin e noterëve të rinj, pasi sipas BE-së, kjo duhet t’i lihet Qeverisë së re të Kosovës.

“U bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës që të përmbahen nga çdo emërim i ri i noterëve sepse ne besojmë fuqishëm se ky vendim duhet t’i lihet qeverisë së re”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Zyra e BE-së në Prishtinë kërkon që procesi i përzgjedhjes së noterëve të rinj të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi, me qëllim që të shmangen parregullsitë.

“Procesi i përzgjedhjes të noterëve është thelbësor për të nxitur besimin e shoqërisë ndaj personave që kanë këtë rol me përgjegjësi”, thuhet në reagim.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës është kritikuar nga organizatat e shoqërisë civile, për shkak se ka përzgjedhur noterë të rinj në kohën kur Qeveria e Kosovës është në largim dhe kanë kërkuar nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri të mos emërojë asnjë noter të ri.

“Procedura e përzgjedhjes së noterëve të rinj është zhvilluar edhe gjatë kohës kur qeveria nuk kishte legjitimitet për të zhvilluar një proces të tillë. Përzgjedhja është bërë duke mos respektuar standardet minimale të transparencës për të bindur publikun dhe opinionin e gjerë së ky proces është i drejtë, i paanshëm, i pavarur dhe i bazuar në meritokraci të kandidatëve”, thuhej në reagimin e përbashkët të disa organizatave të shoqërisë civile, të publikuar më 8 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat