Vetëvendosje mohon të jenë bërë kushtëzime nga LDK, thonë se s’do të bien pre e tyre

Aktuale

Vetëvendosje mohon të jenë bërë kushtëzime nga LDK, thonë se s’do të bien pre e tyre

Më: 15 tetor 2019 Në ora: 17:18
Albulena Haxhiu

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar zërat se Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar shtatë ministri në koalicionin e ardhshëm qeverisës, teksa kanë theksuar se ata asnjëherë nuk do të bien pre e kushtëzimeve në negociatat mes tyre, pasi sipas tyre nëse ka kërkesa të papranueshme, vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë thotë se përkundër faktit që kanë caktuar grupet punuese për të negociuar me LDK, takime të tilla ende nuk kanë ndodhur.

Haxhiu: Nuk biem pre e kushtëzimeve në negociatat me LDK-në

“Nuk qëndron ajo që sot ka dalë në disa portale. Pra, janë spekulime për faktin se menjëherë pas atij takimi ne kemi mbajtur mbledhjen e kryesisë, ku kryetari dhe nënkryetari na kanë njoftuar si ka shkuar takimi. Nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ana e LDK-së për ndonjë numër të caktuar të ministrive...Nuk ka pasur ndonjë kërkesë tjetër, apo kushtëzim. Unë besoj që kjo do t’i takoj diskutimeve të grupit punues dhe kryetarëve. Unë besoj sa i përket mandatarit për kryeministër e ka vendosur qytetari dhe kjo nuk vjen në diskutim. Pra, kandidati ynë do të jetë Albin Kurti, sepse kështu ka kërkuar sovrani. Sa i përket ministrive do të ishte mirë që ndarja të jetë në mënyrë të barabartë. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje, unë nuk mundem të paragjykoj se çka do të ndodhë tutje, por ne nuk biem pre e çfarëdo kushtëzime në këto negociata... VV nuk e ka problem nëse vendi shkon në prapë në zgjedhje, nëse ka kërkesa që VV nuk mund t’i pranojë është alternativa tjetër”, pohon Haxhiu.

Për ish-deputeten Haxhiu, është shumë e rëndësishme që sa më parë të fillojnë negociatat me LDK-në për formimin e qeverisë së re.

Haxhiu: Nuk ka pasur ndonjë takim VV-LDK sa i përket grupeve punuese

“Edhe përkundër faktit se kemi caktuar grupet punuese, personat që do të merren me programin qeverisës, sepse përgjegjësia kryesore e këtyre grupeve do të jetë harmonizimi i programit. Nuk ka pasur ndonjë takim sa i përket këtyre grupeve punuese për të diskutuar për këto çështje. Për Vetëvendosjen është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mblidhen sa më parë. Sipas informacioneve që i kemi si subjekt politik, kjo nuk ka mundur të ndodhë për arsye objektive të përfaqësuesve politik të LDK-së dhe besojmë se shumë shpejt do të pushojnë këto arsye, dhe do të nisin takimet këto grupe punuese”, tha Haxhiu.

Për dialogun me Serbinë, Haxhiu ritheksoi se është e nevojshme rishqyrtimi i marrëveshjeve të deritanishme me Serbinë dhe bisedën me serbët që jetojnë në Kosovë.

Nga ana tjetër, ajo shpreh vendosshmërinë që Lista Serbe mos të jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës në krye me Albin Kurtin.

Haxhiu: Jo bashkëpunim me subjekte që nuk e njohin Republikën e Kosovës

"Nuk kam asnjë dilemë që Lista Serbe sot është kundër Republikës së Kosovës, që Lista Serbe punon kundër interesave të Kosovës që nuk e njeh, nuk ka asnjë dilemë dhe dyshim për këtë. Qeverisja jonë nuk mund të ketë ndonjë bashkëpunim me subjekte të tilla që nuk e njohin Republikën e Kosovës dhe që e luftojnë atë”, tha Haxhiu.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, pasur nga LDK me një diferencë të vogël votash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat