Përfundon aksioni, Njësia Speciale largohet nga veriu me dy të arrestuarit - një në arrati

Aktuale

Përfundon aksioni, Njësia Speciale largohet nga veriu me dy të arrestuarit - një në arrati

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 07:27
Njësia Speciale është nisur drejt Prishtinës me dy të arrestuarit.

(E plotësuar) - Pas një aksioni të filluar rreth orës 06:00 në mëngjes, kanë mbetur dy persona të arrestuar në këtë pjesë të vendit.

Janë djali i Zhelko Bojiqit, shefit të operativës së PK’së dhe Rado Basara dy të arrestuarit të sotëm që lidhen me vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.

Tashmë Njësia Speciale është nisur drejt Prishtinës me dy të arrestuarit.

Zyrtari i lartë i Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës, Rade Basara, është personi i cili sot në orët e para të mëngjesit u arrestua nga njësia speciale e Kosovës. Ky person dyshohet se gjatë rastit të vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviqi, ka marrë pjesë në fshehjen e provave dhe veprimtarive që kanë të bëjnë me vrasjen e Ivanoviqit. Të arrestuarit janë dërguar në Prishtinë, ndërsa në këto momente aksioni po vazhdon në komunën e Leposaviqit.

Basara dyshohet, po ashtu, të ketë gisht edhe në krim të organizuar në këtë pjesë. Ndërkohë, mësohet se personi i dytë, po ashtu pjesëtar i Policisë së Kosovës në atë pjesë, i cili po kërkohet për arrestim është shefi i operativës në atë zonë Zh. Bojiq. Ai ende nuk është kapur nga Policia e Kosovës.

E ndërkohë, organet e rendit, përveç arrestimit të Rado Basarës e kanë arrestuar edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.

Megjithëkëtë, detaje për këtë rast ka dhënë para pak minutave për Express, prokurori special që po e heton rastin, Sylë Hoxha.

Ai ka thënë se ky aksion është bërë në bazë të një urdhërese nga Prokuroria Speciale me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, saktësisht Departamentit për Krime të Rënda.

“Mund të ju konfirmoj rreth aksionit. Për momentin kemi arrestuar dy persona si dhe një tjetër është në kërkim. Arrestimi i tyre ka të bëjë me fshehjen e provave që kanë të bëjnë me rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Mirëpo dyshohen edhe për pjesëmarrje në krim të organizuar”, ka deklaruar Hoxha.

E ndërkohë në këtë aksion, besohet se kanë marrë pjesë 100 policë të njësisë speciale të Kosovës me 25 autoblinda. Aksioni ka ndodhur në orën 05:50 të mëngjesit të sotëm.

I shpëtoi aksionit të policisë, ja ku ndodhet Zhelko Bojiq

Policia e Kosovës gjatë aksionit të sotëm në veri të vendit, ka dështuar të arrestojë personin kryesor të kërkuar, shefin e operativës së policisë për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq.

Burime të sigurta të kp bëjnë të ditur se ai ndodhet për pushime në qytetin e Budvas në Mal të Zi, dhe nuk ka qenë në dijeni rreth vendimit për t’u arrestuar.

Ndryshe, forcat policore gjatë aksionit të sotëm në veri të vendit kanë arrestuar djalin e tij, V.B., si dhe hetuesin policor Rade Basara.

Arrestohen dy të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Forca speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë sot në orët e hershme të mëngjesit një aksion në veri të vendit me ç’rast janë arrestuar dy persona.

KosovaPress mëson se personat janë arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale dhe dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Një prej të arrestuarve është Rade Basara, hetues policor në veri.

Ai ka udhëhequr hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe dyshohet për fshehjen e provave.

Sipas burimeve të KosovaPress policia ka dështuar të arrestojë edhe personin e tretë që është Zhelko Bojiq, shef i operativës së policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës.

Të arrestuarit janë dërguar në Prishtinë ndërsa derisa në këto momente aksioni po vazhdon në Komunën e Leposaviqit.

KosovaPress ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hotin, por ai nuk ka konfirmuar detaje duke thënë se aksioni është udhëhequr nga Prishtina.

Ndryshe, mbi 100 policë kanë marrë pjesë në këtë aksion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat