Publikohen rezultatet e studimit për gratë që përjetuan trauma seksuale

Aktuale

Publikohen rezultatet e studimit për gratë që përjetuan trauma seksuale

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 12:21
Foto Ilustrim

Në Prishtinë është mbajtur konferenca me temën “Trauma ndër-brezore”, në të cilën janë publikuar rezultatet e studimit për gratë që përjetojnë trauma seksuale.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Instituti Danez kundër Torturës në Danimarkë, me mbështetje financiare të Ambasadës britanike në Kosovë, ka hetuar mekanizmat e mundshëm që shpjegojnë se si mund të kalohen efektet e traumës nga një brez në tjetrin.

Studimi ka pasur për qëllim identifikimin e efekteve afatgjate te fëmijët në rrezik bazuar në shenjat epigjenetike dhe të kuptohet më mirë se si ndodh kjo. Janë intervistuar 130 gra që kishin përjetuar dhunë seksuale gjate luftës në Kosovë, dhe janë mbledhur mostrat e gjakut nga 120 fëmijët më të vegjël të lindur nga secila grua.

Është studiuar për afektimin e fëmijëve të nënave që kanë qenë pjesë e dhunës seksuale gjatë luftës. Studimi nuk ka të bëjë me fëmijët që kanë lindur nga dhuna seksuale gjatë luftës, por nga nënat viktima të dhunës seksuale.

Studimi thotë se gati 30% e fëmijëve kanë nivele anormale të kortizolit, që është hormoni kryesor i stresit, i cili nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore.

Ky është studimi i parë i grave që përjetojnë trauma seksuale dhe që rezulton në çrregullim të stresit post-traumatik, duke sugjeruar transmetimin ndër-brezore të traumës në formën e ndryshimeve epigjenetike te fëmijët.

Hulumtimi thekson rëndësinë e ekzaminimit të hershëm të fëmijëve të lindur nga gratë që përjetojnë dhunë seksuale gjatë luftës dhe veçanërisht ata të lindur nga nënat me simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik gjatë shtatzënisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat