OJQ-të kritikojnë Organin Shqyrtues të Prokurimit për Rrethrrotullimin në Lakrishtë

Aktuale

OJQ-të kritikojnë Organin Shqyrtues të Prokurimit për Rrethrrotullimin në Lakrishtë

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 13:01
Foto nga takimi

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) nuk i ka dhënë të drejtë komunës ë Prishtinës, përkatësisht shefit të prokurimit, për të refuzuar një tender që në disa pozicione kishte çmime jo-normalisht të ulëta.

OSHP-ja e ka obliguar komunën e Prishtinës që të rivlerësojë ofertën e kompanisë “RSM”, duke e udhëzuar që t’i merr parasysh vetëm njërën pjesë të nenit 3 të Rregullave për Çmimet Jo Normalisht të Ulëta dhe të injorohet neni pasues, ai 4, i cili parasheh çmimi jonormalisht të ulëta që vijnë nëpër pozicione dhe jo në ofertën totale.

Kështu u tha me rastin e prezantimit të të gjeturave që Lëvizja FOL, Çohu, INPO, Instituti Columbus dhe Open Data Kosovo, kanë hasur në procesin tenderues të projektit “Rreth rrotullimi i Lakrishtës”.

Elbasan Racaj nga Lëvizja Fol tha se OSHP-ja bazuar në vendimin që e ka marrë për tenderin 1 milionë e 149 mijë euro, ka keqinterpretuar rregullën për çmime jo-normalisht të ulëta.

Sipas tij, ky vendim i OSHP-së e bënë të pavlerë rregulloren e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Racaj: OSHP nuk po i merr për bazë çmimet jo-normalisht të ulëta

“OSHP nuk po i merr për bazë çmimet jo-normalisht të ulëta për pozicionet e tenderit ashtu siç kërkohet nga rregulla për çmime jo-normalisht të ulëta. Siç e dini nganjëherë çmimet jo-normalisht të ulëta përdoren për manipulimin e ofertës finale, përkatësisht shpesh na pamundësojnë që ta dimë edhe koston reale të tenderëve... Konsiderojmë se OSHP-ja ka keqinterpretuar rregullën për çmime jo-normalisht të ulëta dhe në këtë mënyrë i ka pamundësuar autoritetit kontraktues që të detektojë nëse ka pasur mashtrime gjatë ofertës”, tha ai.

Paulina Behluli nga “Open Data Kosova” tha se në fazën e parë ishin parakualifikuar 6 operatorë  ekonomik, nga 12 sa kishin aplikuar. Teksa shtoi se vetëm 5 operatorë ekonomik kishin dorëzuar ofertat financiare: RSM, Rukolli Company, Gashi ING&KAG Asphalt, Fami-Co dhe Drini-Company.

Ajo bëri të ditur se Komisioni Vlerësues e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë RSM, e cila kishte ofertuar 1 milionë e 149 mijë e 998 euro, pasi për këtë komision siç tha ajo, shpjegimet e dhëna nga kjo kompani për pozicionet që është dyshuar për çmime jo-normalisht të ulëta, kishin qenë bindëse dhe të mjaftueshme. Teksa tha se udhëheqësi i Departamentit të Prokurimit në komunën e Prishtinës, Zekë Bardhaj, nuk e ka miratuar raportin e këtij komisioni.

E në vendimin e OSHP-së siç tha ajo, është injoruar fakti që pozicionet e caktuara të ofertës kanë pasur çmime jo-normalisht të ulëta, sipas Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit.

Behluli: Disa pozicione të kompanisë RSM janë me çmime jo-normalisht të ulëta

“Udhëheqësi i Departamentit të Prokurimit në komunën e Prishtinës, z. Zekë Bardhaj, nuk e ka miratuar raportin e Komisionit Vlerësues, që e rekomandonte për kontratë kompaninë RSM. Ai ka vlerësuar se disa pozicione të kompanisë RSM janë me çmime jo-normalisht të ulëta. Një çmim jo-normalisht i ulët sipas tij, ishte çmimi i gërmimit të kategorisë 3 dhe 4 për 0.80 euro, ndërsa bazuar në çmimin referent të KRPP do të ishte rreth 4 euro. Ndërsa vet çmimi i dhënë në parallogarinë e Njësisë së Kërkesës është 2.50 euro... Udhëheqësi i Prokurimit në Prishtinë e ka eliminuar nga gara kompaninë RSM dhe ka rekomanduar kompaninë R&M për kontratë”, tha ajo.

Ajo shtoi se në vendimin e OSHP-së është injoruar fakti që pozicionet e caktuara të ofertës kanë pasur çmime jo-normalisht të ulëta, sipas zyrtarit përgjegjës të Prokurimit.

E rekomandimet e organizatave jo-qeveritare i bëri të ditura Leonida Molliqaj nga Çohu.

Molliqaj: KRPP të amandamentojë ‘Rregullat për Çmime Jo-normalisht të Ulëta’

“Ne si organizata jo-qeveritare rekomandojmë që KRPP të amandamentojë ‘Rregullat për Çmime Jo-normalisht të Ulëta’, pasi amandamentimi i saj është bërë i obligueshëm pas vendimit të OSHP-së. Gjithashtu, ne rekomandojmë që në rregulloren e re duhet të specifikohet saktë nëse çmimi jo-normalisht i ulët mund të konsiderohet edhe për pozicione dhe jo vetëm për çmimin total”, tha Molliqaj.

Ndryshe, raporti i monitorimit të aktivitetit të prokurimit “Rreth rrotullimi Lakrishtë, Rrethrrotullimi Arbëri” është hartuar nga pjesëmarrësit e organizatave jo-qeveritare të rajonit të Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat