Rinumërimi i votave, shoqëria civile rekomandon përfshirjen e prokurorisë

Aktuale

Rinumërimi i votave, shoqëria civile rekomandon përfshirjen e prokurorisë

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 16:50
Foto ilustrim

Gati dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve së jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, po vazhdon rinumërimi i kutive të votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të rinumërojë edhe 530 vendvotime të tjera, pas rekomandimeve të Qendrës për Rinumërim dhe Rezultate për shkak të mospërputhjes në mes të votave të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputet.

Sipas kryetares së KQZ-së, komisionerët e subjekteve politike kanë tentuar të shtrembërojnë procesin zgjedhor, ndërsa shoqëria civile kërkon nga prokuroria të nisë hetimet, për të parë nëse janë të qëllimshme veprimet e tilla.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve thonë se një numër i madh i formularëve nuk ka mundur të procesohet për shkak të mospërputhjes në mes të votave të subjekteve politike dhe kandidatëve.

Ndërkohë numri një i KQZ-së, Valdete Daka pranon se as këtë herë nuk kanë mundur të shmangin një problem të tillë.

Daka: Serish s’jemi imun ndaj fenomenit të mospërputhjes së votave të kandidatëve me subjektet politike

“Edhe këtë herë nuk jemi imun ndaj fenomenit të mos përputhjes së votave të kandidatëve me votat e subjekteve. Kjo është arsyeja më e madhe pse ne i rinumërojmë, përveç atij faktit, se nuk bën ta anashkalojmë, edhe fakti që kemi pas me formularët e rezultateve, edhe pse ato kuti, edhe mos të ishin rezultatet e subjekteve, gjithsesi kishin shkuar në rinumërim për shkak të mospërputhjes së votave të kandidatëve, të cilat ashtu kështu janë hasur në ato kuti”, tha Daka.

Arsye të tjera për të cilat QNR po kërkon rinumërim edhe të 530 vendvotimeve të tjera, janë shënimet e pasakta të subjekteve politike, problemet teknike dhe rastet kur kandidatët për deputet kanë më shumë vota se sa subjekti politik.

Vendimi i sotëm i KQZ-së për rinumërim edhe të 530 vendvotimeve, vjen pas përfundimit të rinumërimit të 314 vendvotimeve tjera, në të cilët po ashtu u hasën probleme të ngjashme.

E pyetur se kush duhet të mbajë përgjegjësinë për të gjitha këto parregullsi, kryetarja e KQZ-së thotë se komisonerët dhe kandidatët kanë tentuar të shtrembërojnë procesin, teksa zotohet se do të bëhen të gjitha përmirësimet e nevojshme.

Daka: Komisionerët dhe kandidatët kanë tentuar të shtrembërojnë rezultatin

“Këto janë komisionerët e subjekteve politike, dhe me kandidatët, të cilët kanë tentuar që ta shtrembërojnë rezultatin, por mos të harrojmë që ne do të t’i bëjmë të gjitha ato përmirësime”, tha Daka.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu” Arton Demhasaj, tha për kp se është koha që KQZ të mendojë mirë si do të veprojë në të ardhmen me rinumërim të votave. Sipas tij, përgjegjësia qëndron te komisionerët dhe prokuroria duhet të hetojë se a janë të qëllimshme veprimet e tilla.

Demhasaj: Prokuroria të hetojë komisionerët

“Përgjegjësinë e kanë komisionerët dhe mendoj që kjo është hera e fundit që KQZ duhet të mendojë mirë se si do të veprojë në të ardhmen edhe në rinumërim të votave, sepse po shohim që kaq shumë probleme të tilla. Tash, ose këto janë të qëllimshme nga ana e komisionerëve që bëhen për me lëvizë vota nga një kandidat të kandidati tjetër, e për këtë arsye duhet involvim të prokurorisë në këtë rast, dhe më pas se a janë të qëllimshme këto ose jo, për shkak se kjo është edhe vepër penale në kodin penal, në momentin kur ti mund të falsifikojë rezultatin që falsifikimi vjen edhe nëse i bartë votat nga një kandidat në tjetrin”, tha Demhasaj.

Demhasaj thotë se nëse vërtetohet se kjo ka qenë e qëllimshme nga komisionerë të caktuar, duhet të merren masa ndëshkuese konform kodit penal.

Pothuajse në secilin proces zgjedhor, një numër i konsiderueshëm i vendvotimeve, zakonisht kanë shkuar në rinumërim si rezultat i probleme qoftë në mes të votave të kandidatëve apo votave të subjekteve politike.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se procesi i rinumërimit nuk ndikon në renditjen apo numrin e votave që kanë marrë subjektet politike.

Cakolli: Procesi i rinumërimit nuk ndikon në renditjen e subjekteve

“Procesi i rinumërimit nuk ndikon në renditjen apo numrin e votave që kanë marrë subjektet politike. Ne tashmë kemi parë që lëvizje minimale të votave gjatë numërimit të rreth 300 kutive, të cilat janë rinumëruar deri pak para mesnatës së djeshme, kjo nënkupton se partitë nuk është që kanë pasur rast të parregullsive në mes të votave të tyre, mirëpo ajo çfarë është shfaqur si fenomen është lufta brenda sojit të njëjtë siç njihet, që nënkupton që kandidatët e subjektit të njëjtë politik kanë pasur ankesa sa i përket votave të tyre në formularët e përputhjes së rezultateve”, tha Cakolli.

Vendvotimet që do të rinumërohen iu përkasin komunave: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan,  Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë,  Mitrovicë e Jugut,  Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë , Prizren , Skenderaj , Shtime,  Shtërpcë, Suharekë,  Ferizaj,  Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Malishevë, Junik, Han i Elezit, Graçanicë dhe Ranillug.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme të KQZ-së ku është marrë vendimi për rinumërim, Valdete Daka ka bërë të ditur se i njëjti do të fillojë menjëherë sot dhe ka ftuar prokurorinë dhe policinë që të jenë prezentë gjatë rinumërimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat