Nasim Haradinaj i nervozuar: Kemi ardhë në gjendjen e ish-Jugosllavisë dhe Milloshit, Specialja u krijua nga ideja ruse me të dhënat serbe

Aktuale

Nasim Haradinaj i nervozuar: Kemi ardhë në gjendjen e ish-Jugosllavisë dhe Milloshit, Specialja u krijua nga ideja ruse me të dhënat serbe

Nga: N.Sh Më: 17 tetor 2019 Në ora: 19:08
Nasim Haradinaj

Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradianj për krijimin e Gjykatës Speciale dhe ftesat që po i dërgon thotë se kjo që po ndodh është ajo e cila u gatua.

E sipas tij, kjo u gatua nga ideja ruse me të dhëna serbe dhe me budallai të parlamentarëve tanë.

“Bukën e mbledhin qeveritarët tanë. Kjo u gatua nga ideja ruse me të dhënat serbe por me budallai të parlamentarëve tanë”, tha Haradinaj.

“Këtë çështjen e Gjykatës, së pari e ka ngritur një deputet Evropian, Dick Marty pas disa të dhënave dhe ne mos të harrojmë se, çdo dëshmi qoftë e pakonfirmuar mirë, qoftë fakte apo shpifje nxit për një kallëzim penal e që pastaj vërtetohet, pro e keqja është këtu se nuk e di se kush do të dënohet për shpifje, e mundësinë e dënimit për shpifje ia mundësoj apo ia ka hjek vet deputetët tanë në Kuvend”, tha Haradinaj në një emision televiziv transmeton gazeta “Bota sot”.

Haradinaj tha tutje se OVL-UÇK nuk është kundër zbulimit të krimeve nëse ka, por janë kundër këtij procesi.

“A pe shifshi se kemi ardhë në gjendjen e ish-Jugosllavisë dhe të Milloshit, do të thotë, çdo kush që ka qenë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është target. Çka është më e keqja që tash ka filluar edhe ndaj atyre që nuk kanë qenë hiq në UÇK”, tha Haradinaj duke dhënë disa shembuj se janë ftuar edhe civil të cilën lidhje nuk kanë me UÇK-në.

Ndërsa për Safete Hadërgjonaj thotë se për gjithçka ka mundur të ftohet nga Gjykata Speciale por kurrë jo për Ushtrinë pasi nuk ka qenë kurrë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sa i përket ftesave të reja nga Specialja, Haradinaj thotë se kryesisht tash kanë me qenë në pjesën e Llapit.

Ai ka thënë se gjatë kësaj jave, apo javës që po vjen do të ndodhin arrestimet e para nga Gjykata Speciale.

“Një lajm që ne e kemi më të keq, sipas disa të dhënave në bazë të disa avokatëve, sepse ne kemi bashkëpunim me ta, priten arrestimet këtë javë ose javën tjetër, pra brenda këtij muaji gjithsesi”, tha Haradinaj i cili këtë e quan “kulmi i së keqes”.

Ai tutje tha se tash Gjykata Speciale e Hagës ka bë një ndryshim, pasi po i definon se a janë të dyshuar apo dëshmitarë.

Sipas Haradinajt në Kuvend nuk është dashur me votua një gjykatë një etnike që të hetohen vetëm shqiptarët.

“Këtu për t’u bërë një krim është dashur me qenë dy palët. Dhe tash me këtë cilësinë që na ka bërë Gjykata ne kemi dalë që jemi agresor. Dihet kush është agresori. Ne kemi qenë viktimë. Ne kemi hy në luftë pa dashje, në kuptimin e detyrueshëm, por me dashje për me u çlirua”, ka shtuar ai.

“Kohëve të fundit kur filluan me i thirrë njerëzit që nuk kanë qenë kompetent në UÇK, fillova thash mos e kanë me qëllim degradimin e kësaj Gjykate dhe mos po shkon atje ku unë mendoj, e dështuar. Sepse Gjykata do të del e dështume qoftë edhe me thirrjen dhe me arrestimin e njerëzve. Kjo është e dështuar se munden me u ftua edhe 200 apo 300 njerëz dhe mos me pas asgjë”, pohoi Haradinaj.

Haradinaj tha se duhet me ditë që ka pasur shpifje nga njerëzit që kanë kërkuar azil, pasi nuk e kanë ditur se këto do të ndikojnë.

Ai tutje ka dhënë disa shembuj se si u kriju kjo gjykatë.

“Për me kërkuar azil, paslufte kanë thënë se po më ndjek filan fisheku apo filan komandanti ka dashur me më vra sepse unë nuk kam dashur të përzihem me serbë e as me shqiptarët”.

“Nuk ka Gjykatë që bazohet në shpifje më shumë sesa kjo psh, për shitjen e organeve. Nuk ka shpifje ma të madhe, sepse ne nuk kemi pasur njerëz që kanë pasur mundësi me ndërru veshkë, me ndërru zemra për me i shitë. Spitale me renome që kanë qenë edhe sot nuk munden me i bë këto operacione”, ka thënë ai.

Haradinaj ka akuzuar edhe disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për krijimin e disa raporteve që sipas tij, kanë rezultuar edhe në këtë Gjykatë.

Kurse sa i përket thirrjeve apo ftesave aq të mëdha nga Gjykata Speciale, Haradinaj thekson se nuk e kanë paramenduar që do të ftohet kaq shumë.

“Për mua, çdo ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është target dhe mund të jetë target i kësaj Gjykate, apriori duke cekur se tash çdo qytetarë i Kosovës, edhe pse nuk ka marrë pjesë në luftë, qysh kaun fillu këta me thirrë, duket se do të thirren. Kjo gjykatë, ka fillu ti ngjasojë gjykatave serbe të kohës së Titos dhe kohës së Milloshit, ku vetëm se ke qenë shqiptarë, me mujt me qenë i dyshuar dhe fajtorë”, pohoi Haradinaj, i cili tha se nuk ka tjetër shpjegim për këtë.

Haradinaj ka përsëritur se nuk po dëshiron me mbrojtë dikë, por nëse kanë bazë për krime le të urnojnë, por nuk beson se Ushtria Çlirimtare ka bërë krime pasi nuk kanë mundur, nuk kanë pas mundësi.

Haradinaj thotë tutje se, në Gjykatën Speciale bota thotë se po dënohet shqiptari, duke aluduar se Specialja është krijuar vetëm për shqiptarë dhe kundër UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat