Isa Mustafa: Vjosa Osmanin nuk e kemi për çfarëdo pozite

Aktuale

Isa Mustafa: Vjosa Osmanin nuk e kemi për çfarëdo pozite

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 00:05
Isa Mustafa

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se do të jetë kandidatja e partisë së tyre për kryeministre, Vjosa Osmani, ajo që do të propozojë kabinetin qeveritar në rast se e marrin mandatin.

Ai tha se kjo gjë është e rregulluar me statut të partisë dhe se ajo do të ketë aprovim dhe mbështetje të plotë nga partia.

“Ne edhe me statut të LDK-së kemi të paraparë që kandidatja për kryeministre është ajo që e propozon Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së kabinetin qeveritar. Unë e kam thënë me kohë se këtë do ta bëjë Vjosa Osmani pas asnjë ndikim të jashtëm apo ndikim timin si kryetar. Në qoftë se ajo e merr mandatin e kryeministres kështu asaj nuk do t’i përzihet askush se me kë do të qeverisë vendin për arsye se është e dëmshme që ne anash t’i themi merre këtë dhe jo atë tjetrin se nuk bën dhe ashtu do të veprojmë”.

“Nëse arrijmë që të marrim mandatin atëherë mandatarja jonë është ajo që do ta propozojë dhe jam i bindur se Këshilli do ta aprovojë kabinetin qeveritar dhe ne do ta përkrahim maksimalisht përmes grupit parlamentar që të jetë e suksesshme në qeverisje”.

Por nëse LDK do të del e dyta dhe do të bëjnë një marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen Mustafa në Zona e Debatit tha se Vjosa Osmani nuk është për çfarëdo pozite.

“Nëse ne jemi partia që bëjmë marrëveshjen e koalicionit atëherë kryetari i LDK-së është ai që e përfaqëson dhe çdo marrëveshje me të tjerët. Mirëpo edhe në këtë rast do ta respektojmë punën që ajo ka bërë dhe autoritetin e saj dhe do të jemi bashkë që në këtë marrëveshje që do t’i bëjmë pasi që ajo është që ka premtuar në terren të impelmentohet përmes asaj qeveri që do të jetë qeveri e koalicionit”.

“Se ku do të jetë Vjosa Osmani, nëse jo kryeministre ajo nuk do të jetë në çdo pozitë. Do ta kemi për pozitën që ajo e meriton”.

“Dikush thotë që ne i ofrojmë këtë post Vjosës apo atë LDK-së. Është me rëndësi se ne çka duam me marrë dhe në çka përcaktohemi. Vjosa do ta merr pozitën që ajo është e bindur se i përgjigjet asaj dhe që ne të dalim mirë me një pozitë që ajo të jetë mirë në qeverinë e ardhshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat