Flasin nga LDK dhe Vetëvendosje për takimin e sotëm, ja kur pritet të takohen liderët

Aktuale

Flasin nga LDK dhe Vetëvendosje për takimin e sotëm, ja kur pritet të takohen liderët

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Vetëm dy takime, njëri në nivel të liderëve dhe tjetri në nivelin e grupeve punuese,janë zhvilluar deri më tani ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga shpallja e rezultatit preliminar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, në përpjekje për të arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Të premten është mbajtur takimi i grupeve punuese lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës, duke paralajmëruar takimin e radhës për javën e ardhshme.

Grupet punuese u pajtuan lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Image
Pamje nga takimi i sotëm

Pas takimit midis grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Lidhje Demokratike, Glauk Konjufca nga LVV tha se janë diskutuar temat më të rëndësishme të cilat e presin qeverinë e ardhshme.

“Krejt çka do të mund të them është që kemi nevojë për reforma të thella në drejtësi, arsim, shëndetësi, administratë, pra janë fol më shumë reformat sektoriale për të cilat ne kemi nevoje”, tha Konjufca.

Sipas tij, në këtë takim nuk është diskutuar për ndarje të ministrive ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për mosmbajtjen e takimeve më të shpeshta ndërmjet dy partive, Lëvizja Vetëvendosje ka fajësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Zyrtarë të kësaj të fundit, kanë deklaruar se dëshirojnë ta presin certifikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para se të nisin negociatat.

Një pritje e tillë, nuk po shihet si arsye e vërtetë nga zyrtarët e partisë fituese të këtyre zgjedhjeve.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se Vetëvendosje si partia që i takon posti i kryeministrit, është shumë e interesuar që të ketë sa më shumë takime mes grupeve punuese të të dy partive.

Fajin pse këto takime nuk po ndodhin, Haxhiu thotë se e ka LDK-ja dhe se sipas saj, nuk ka asnjë kuptim që të zvarritet ky proces.

“Jemi të gatshëm 24 orë të punojmë në këtë drejtim, por në anën tjetër nuk e kemi parë të njëjtën qasje edhe nga përfaqësuesit e LDK-së. Besoj që arsyetimi që duhet të presim derisa të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, është i paqëndrueshëm për faktin se ky rezultat nuk mund të përmbyset. Tashmë dihet se kush është fituesi i zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, thotë Haxhiu.

Sipas saj, me votat e mërgatës, Vetëvendosje ka thelluar diferencën ndërmjet subjekteve tjera, përfshirë edhe LDK-në.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se LDK-ja dhe Vetëvendosje, janë takuar në dy nivele, në nivelin e liderëve dhe të grupeve punuese, të cilat do të LVV dhe LDK zhvendosin takimet në grupet punuese.

Sipas Hazirit, fillimisht duhet të kryejnë punën grupet punuese e pastaj të takohen liderët e partive. Javën e kaluar, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së kishte vendosur që të mos ketë më takime me Vetëvendosjen, përderisa të mos certifikohet edhe rezultati final i zgjedhjeve. Por, Haziri mendon se grupet punuese mund të takohen.

“Ne nuk kemi nevojë të presim numërimin dhe zbardhjen e rezultatit zgjedhor deri në fund, sepse grupet punuese mund të takohen në çdo kohë për të harmonizuar qëndrimet sektoriale që lidhen me programin qeverisës. Ndërsa liderët takohen sipas nevojës apo kur të jenë gati politikat sektoriale, atëherë ata vendosin për formën e marrëveshjes, formatin e marrëveshjes, për ndarjen e resorëve të brendshme qeveritare dhe natyrisht nënshkruhet marrëveshja e pritur”, thotë Haziri.

Derisa ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dy partitë kanë zhvilluar vetëm një takim në nivel të liderëve.

Pas këtij takimi, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kandidatja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte e pranishme në takim, patën deklaruar se ishin dakorduar që të nisin negociatat për koalicion.

Mirëpo, në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, të mbajtur pas këtij takimi, është thënë që të pritet certifikimi i rezultateve për të vazhduar më pas me takimet.

Nisur nga këto zhvillime, Valmir Ismaili nga organizata Demokraci Plus (D+), thotë për Radion Evropa e Lirë se është e qartë që Lëvizja Vetëvendosje është renditur e para nga të gjitha numërimet që janë bërë deri më tani dhe se nuk mund të ketë ndryshim të rezultateve. Andaj, thekson ai, “nuk duhet humbur kohë” për të pritur certifikimin e rezultateve.

“Nëse do të ketë vonesa të tilla, unë konsideroj se ato janë të paarsyeshme sepse nuk ka nevojë të pritet një formalitet kur dihet se kush është fituesi i zgjedhjeve. Prandaj, unë pres që këto dy subjekte politike, ose ekspertët e tyre, të takohen dhe të përafrojnë programin e tyre qeverisës për të ardhmen”, thotë Ismaili.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe para zgjedhjeve të 6 tetorit, janë takuar disa herë, por pa sukses, nuk arritën që të bëjnë koalicion parazgjedhor dhe garuan ndaras.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale në Hagë.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, Qeverinë e Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast nënkupton Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më pas ka të drejtën e përzgjedhjes se me cilën apo me cilat parti politike dëshiron ta formojë qeverinë e re për mandatin e ardhshëm katërvjeçar./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat