Nga kreu i Qeverisë në zyre të partisë – kush ia dha fundin Ramush Haradinajt?

Aktuale

Nga kreu i Qeverisë në zyre të partisë – kush ia dha fundin Ramush Haradinajt?

Më: 19 tetor 2019 Në ora: 15:24
Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ditë më parë bëri të ditur se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës si deputet dhe vendin e tij do t’ia liroj ndonjë kandidati tjetër nga koalicioni AAK-PSD.

Në korrik të këtij viti, Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe çoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Këtë vendim e mori pasi Gjykata Speciale e ftoi për ta intervistuar.

Haradinaj kandidoi përsëri për kryeministër mirëpo rezultati zgjedhor nuk doli siç e kishte pritur. Ai së bashku me liderin e PSD-së me të cilin ishte në koalcionin morën 11.57 për qind të votave.

Analistët thonë se ky rezultat dëshpërues e shtyri atë të heq dorë nga posti i deputetit.

Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija ka thënë për lajmi se Haradinaj dëshiron të merret tani me subjektin e tij pasi ka mbetur parti rajonale.

“Mundet me qenë edhe arsyeja e mundësisë për rithirrje nga Gjykata Speciale por kjo nuk është arsyeja kryesore, unë mendoj që Haradinaj e ka pa që është në momentin e fundit ku AAK-në duhet me nxjerr prej asaj partie që ende ka arrit me mbet parti rajonale vetëm e Zonës së Dukagjinit. Unë mendoj se është një strategji që ti qaset partisë shumë më shumë, në një paralele i bie sikur Albin Kurti kur u pat shndërru në një aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje ndërsa postin e kryetarit e pat marr Visar Ymeri. Mirëpo sa është e ngjashme si strukturë VV me AAK-në që Haradinaj të arrijë të bëj një gjë të tillë unë jam shumë skeptik por tashmë kuptohet se ai ka vendosur të merret me subjektin politik”, ka thënë Alija.

Sipas tij, arsye e dytë mund të jetë edhe humbja në zgjedhje.

“Arsye e dytë mund të jetë edhe humbja që reflekton goxha e rëndë dhe e vështirë që prej pozitës së kryeministrit të biesh në pozitën e deputetit dhe mbi gjitha ku edhe në Kuvend nuk ke fuqi më shumë se 12 ose 13 deputet. Janë gjitha këto së bashku që mund të jenë arsyet prej dorëzimit të tij nga posti i deputetit”.

Alija ka theksuar se AAK nuk mund ta ndryshoj liderin e partisë, pasi tërë këto vite nuk ka përgatitur lider tjetër.

“Nuk mendoj se do ta ndryshoj liderin, AAK vazhdon me mbet ndryshe shembull nga Lidhja Demokratike e Kosovës që edhe tash po të jep dorëheqje z.Mustafa janë pesë ose gjashtë figura që munden me e zëvendësu Mustafën në krye të LDK-së, storie krejt tjetër është në AAK pasi është një subjekt i cili nuk ka arrit me përgatit lider. Lideri i subjektit politik duhet ta bëj punën ose ta udhëheq partinë në atë mënyrë që brenda të krijoj lider që pastaj një ditë ta zëvendësoj atë. Në AAK është e pamundshme nuk ka një të dytë që e zëvendëson Haradinajn sepse demokratizimi i subjektit politik nuk e ka leju një gjë të tillë”, ka përfunduar Alija.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani thotë se me këtë veprim, Haradinaj po e nxjerrë inatin e humbjes në zgjedhje.

“Ai dëshiron të tregojë madhësinë e tij dhe inatin që ka humbë në zgjedhje sepse ka menduar që do të dal me rezultat krejt tjetër”, ka deklaruar Burjani.

Sipas tij, Haradinaj e ka parë se të mbetet në postin e deputetit nuk do të jep asnjë kontribut konkret në temat e mëdha dhe problemet që kanë qytetarët.

Ramush Haradinaj u zgjodh kryeminister në zgjedhjet e vitit 2017, ku qeverisi së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën Kosova e Re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat