120 ish-deputetë po vazhdojnë t’i marrin pagat e majme nga kuvendi jofunksional

Aktuale

120 ish-deputetë po vazhdojnë t’i marrin pagat e majme nga kuvendi jofunksional

Më: 20 tetor 2019 Në ora: 11:18
Kuvendi

120 ish-deputetë të legjislaturës së fundit, të cilët nuk janë legjitim që prej muajit gusht kur është shpërndarë kuvendi, po vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre të majme prej rreth 2 mijë euro në muaj nga Kuvendi i Kosovës edhe pse është jo funksional.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka konfirmuar për kp, se në bazë të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe rregullores së Kuvendit, ish-deputetët e legjislaturës së gjashtë të kuvendit po i marrin pagat, dhe këtë të drejtë do ta kenë deri në gusht të vitit 2020.

“Nëse nuk rizgjidhen deputetë disa prej tyre sërish në legjislaturën e ardhshme, pagat do t’i marrin deri më 27 gusht 2020”, thotë Krasniqi.

Përfaqësues nga shoqëria civile thonë se marrja e pagave të majme nga kuvendi jofunksional, tregon që deputetët si ligjvënës janë përkujdesur vetëm për veten e tyre, ndërsa për mijëra qytetarë të cilët mbesin pa punë në sektorin privat nuk kanë krijuar bazë ligjore për përkujdesje shtetërore për ata.

Drejtori ekzekutiv në organizatën “Çohu”, Arton Demhasaj thotë për KosovaPress, se këto paga janë të përcaktuara me ligj, por për këtë ka argumente pro dhe kundër.

Demhasaj ka kërkuar që pavarësisht që Kosova ka një buxhet të pa përballueshëm, ishte dashur që të rregullohet kjo çështje edhe për punonjësit në administratë të shtetit dhe për ata në sektorin privat që nuk kanë benificione fare, edhe pse janë kontribuues të tatimeve në paga.

Demhasaj:  Deputetët rregulluan bazën ligjore për pagat vetëm për vete

“Argumentet pro janë që nëse një individ ka qenë deputet dhe ai automatikisht mbetet pa punë, tash deputeti edhe ministri a mundet me shkuar me u punësuar gjithkund? Për këtë arsye është dhënë kjo kohë e benificioneve prej një vjet... Pra, është ndryshe kjo situata e këtyre (ish-deputetëve) me shërbyesit civil, të cilët kanë marrëveshje me një kontratë për të kryer një punë të caktuar dhe në momentin që i përfundon kontrata nuk gëzon benificione. Ose në sektorin privat nuk ka benificione hiq se hiq, sepse sektori privat është i rregulluar në bazë të ekonominë të lirë të tregut. Është pronari i kompanisë ai që vendos dhe jep rrogën për aq sa është kontrata. Nuk mundet shteti me dhënë pagë në sektorin privat...Kosova nuk ka politika sociale dhe ky është problemi kryesor, që në rast se një punëtor në sektorin privat mbetet pa punë, shteti me ndihmuar për një kohë të caktuar derisa ta gjen vendin e punës ose edhe shteti t’ia gjej vendin e punës”, deklaron Demhasaj.   

Ndërsa, Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), thotë se bazuar në ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, i cili është hartuar dhe miratuar diku në vitin 2011, ekziston një dispozitë ligjore me të cilin i sigurohet secilit deputet që ka përfunduar të paktën një mandat ose për ata të legjislaturës së kaluar, gëzon të drejtën e kompensimit të pagës bazë gjatë kohës sa ka punuar si deputet për një periudhë 12-muajshe ose një vjeçare, mirëpo sipas saj, kjo mund ta ndalohet më herët në qoftë se deputeti në fjalë ka të hyra të tjera nga një burim tjetër financiar, qoftë në institucione publike ose në sektorin privat.

Haxhiu: Të gjithë ish-deputetët e legjislaturës së fundit po marrin pagën bazë

“Në këto momente të gjithë deputetët prej momentit të shpërndarjes së Kuvendit në qoftë nuk kanë gjetur një punë tjetër ose nuk kanë të hyra të tjera nga ndonjë burim tjetër financiar ata(ish-deputetët) e gëzojnë pagën bazë deri në një periudhë një vjeçare... Ish deputetët të cilët kanë qenë pjesë e legjislaturës së gjashtë, në qoftë se ndodhë të rizgjidhen prapë për legjislaturën e shtatë në momentin e verifikimit të mandateve dhe betimit të tyre si deputet, ata pastaj tërhiqen prej pjesës së deputetëve të cilët gëzojnë pagën bazë të fazës kalimtare. Ata të cilët nuk kanë arrit të rizgjidhen si deputetë e kanë të drejtën e realizimit të pagës për një periudhë njëvjeçare, apo deri në momentin e gjetjes së një burimi tjetër financiar qoftë në sektorin privat ose në institucionet publike”, deklaroi Haxhiu.

Deputetët për një muaj marrin 240 mijë euro. Po ashtu, pagat po vazhdojnë t’i marrin edhe kryeministri në detyrë, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politik, privilegje për ta do të ketë sikur për ish deputetët.

Ndërsa, kuvendi i cili është shpërndarë më 22 gusht, pritet konstituohet pas certifikimit të rezultateve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat