Kurti për “The Guardian”: BE-ja po frikësohet nga fashizmi dhe populizmi

Aktuale

Kurti për “The Guardian”: BE-ja po frikësohet nga fashizmi dhe populizmi

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 09:20
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Albin Kurti, e ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën britanike “The Guardian”. Në këtë intervistë, ai e ka dënuar vendimin e BE-së për ta ndërprerë zgjerimin e bllokut në Ballkan, duke thënë se liderët perëndimorë i kanë harruar mësimet nga dy luftërat botërore dhe tash po mundohen të këndellen nga fashizmi dhe populizmi.

Kurti tha se ky qëndrim i BE-së mund t’i dëmtojë gjasat e Kosovës për të arritur marrëveshje me Serbinë, e cila ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës që nga përfundimi i luftës së viteve 98-99 në kohën kur Beogradi ka më pak vullnet për të vepruar pa premtimin për anëtarësim në BE.

“Bashkimi Evropian është krijuar si kundërpërgjigje ndaj fashizmit, por tash po ikën i frikësuar përballë populistëve dhe fashizmit”, tha Albin Kurti për gazetën e famshme britanike.

Duke e kritikuar vendimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, për bllokimin e hapjes së negociatave për pranim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, ai tha: “Ju nuk mund të thoni se fillimisht kemi nevojë për reforma të brendshme në BE dhe më pas zgjerim të jashtëm, sepse këto shkojnë dorë për dore. Evropa është një projekt aq i rëndësishëm historik, saqë asnjë individ nuk mund të jetë autori i tij, nuk mund ta drejtojë apo ta udhëheqë atë. Kemi parë gjithmonë që kur Jean-Claude Juncker thoshte se nuk do të ketë zgjerim në pesë vjetët e ardhshëm, gjendja në Ballkan përkeqësohej shumë”.

“Po, Bashkimi Evropian është i rëndësishëm për Ballkanin, por Ballkani është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Berlini dhe Parisi duhet ta dinë këtë mirë dhe është shumë pikëlluese për të gjithë ne që ata e kanë harruar këtë. Brenda disa dekadash, historianët do të shkruajnë se nuk kanë qenë dy luftëra botërore, por vetëm një luftë botërore me dy episode, ku gjithçka filloi në Sarajevë”, tha Kurti.

Ai gjithashtu theksoi se është i interesuar në sistemin britanik për pasurinë që nuk mund të arsyetohet dhe për një proces të ri të vetingut, të udhëhequr nga një kryeprokuror dinamik. “Ne kemi nevojë ta prodhojmë Eliot Ness-in tonë dhe ai duhet të jetë personi më i famshëm në vendin tonë”, tha ai. “I kemi gati 200 prokurorë, por disave prej tyre u mungon dija, disa të tjerëve u mungon guximi, e disave u mungojnë të dyjat. Ata duhet të çlirohen nga shteti”, shtoi lideri i LVV-së.

I përballur me rritjen e borxhit publik dhe imigrimin, Kurti tha se është i vendosur që t’i japë fund mungesës së shkathtësive në tregun e punës dhe të përqendrohet në edukimin teknik dhe zvogëlimin e varësisë së industrisë ndaj shkallës së dëmshme të interesit të bankave të huaja. “Ne duhet ta bëjmë vendin tonë të jetueshëm dhe të bindim më shumë njerëz që të qëndrojnë në vendin tonë”, tha ai.

Ai paralajmëroi se taksa 100 për qind, e vënë ndaj mallrave të Serbisë nga paraardhësi i tij, do të largohet vetëm nëse ka masa të plota reciproke për lejimin e tregtisë së mallrave kosovare në Serbi. Ai tha se Beogradi gjithashtu duhet t’i japë fund fushatës diplomatike për t’i bindur shtetet që ta tërheqin njohjen e Kosovës. “Nëse ata duan ta nisin dialogun, ata duhet që të mënyrë eksplicite t’i ndalin shpifjet rreth të drejtës sonë për shtetësi”, tha ai.

“Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj, e jo t’i shikojë Kosovën e Shqipërinë me dylbi ushtarake. Serbia ka nevojë për një lloj analize të vetvetes”, shtoi Kurti.

Ai tha se është plotësisht kundër idesë për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, e cila u soll në tavolinë nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhepresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. “Çfarëdo kufiri i ri që të formohet, do të ketë serbë ose shqiptarë në anën tjetër të tij, e ata pretendojnë se mund ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore”, tha ai.

Kurti foli edhe për flamurin e Kosovës. Ai tha se ky flamur i është imponuar vendit me kushtin që të mos ketë shqiponjë, ngjyrë të kuqe apo ngjyrë të zezë, siç tha ai, sikur pavarësia të mos jetë shpallur nga Serbia, por nga Shqipëria.

Megjithatë, ai u zotua se në postin zyrtar si kryeministër do ta mbajë dhe do ta respektojë flamurin zyrtar të Kosovës. “Kam detyra më të rëndësishme sesa rregullimin e orendive në zyrën e kryeministrit”, tha Kurti, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat