Kompensimi i viktimave të krimit e meta më e madhe e shtetit

Aktuale

Kompensimi i viktimave të krimit e meta më e madhe e shtetit

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 17:17
Foto

Nga tetori i vitit 2018 deri në shtator të këtij viti, nga statistikat e menaxhuara nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, janë 1313 raste të përfaqësuara si viktima të dhunës në familje. Sipas organizatave të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut, kompensimi i viktimave është e meta më e madhe e shtetit. Të njëjtat kritikojnë institucionet e vendit se nuk kanë kapacitete për të parandaluar rastet e dhunës.

Basri Kastrati, menaxher  i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, ka treguar për KosovaPress, se sa ka qenë numri i viktimave të dhunës në familje gjatë këtij viti, në krahasim me vitin paraprak.

Kastrati: Këtë vit kemi 1313 raste

“Viti 2018 ka pasur 1620 raste që në krahasim me një vit paraprak diku rreth 300 raste më shumë. Nga ky numër një numër i madh i tyre janë viktima të dhunës në familje. Këtë vit 1313 raste ne kemi përfaqësuar viktima të dhunës në familje, qoftë me kërkesa për urdhër-mbrojtje, qoftë me procedura të mëtutjeshme në gjykata dhe prokurori nga fillimi i procedurës”, thotë Kastrati.

Gjatë vitit 2017, ishte kompensuar viktima e parë e krimit nga rajoni i Mitrovicës, e iniciuar nga Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave. Me këtë rast, ka filluar për herë të parë implementimi në praktikë i ligjit për kompensimin e viktimave të krimit.

Kastrati tregon se sa është numri i rasteve të kompensimit. 

Kastrati: Deri vitin e kaluar kanë qenë 10 raste të kompensimit

“Deri në vitin e kaluar kanë qenë 10 raste të kompensimit, është fillimi, mirëpo po besoj që kemi filluar edhe plotësim-ndryshimin e këtij ligji për shkak të rritjes të numrit të veprave penale të kompensueshme, se deri më tani në këtë ligj kanë qenë vetëm gjashtë vepra penale që janë kompensuar, ndërsa të tjerat tani do të përfshihen edhe në plotësim-ndryshimin e ligjit të ri”, shprehet Kastrati.

Derisa numri i rasteve të viktimave të dhunës në familje, trafikimit, dhunimit seksual, ende vazhdon të jetë i lartë në Kosovë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thotë se problemi më i madh është ai i kompensimit dhe përgjegjësisë shtetërore ndaj viktimave të krimit.

Jashari: Kosova për një kohë të gjatë vazhdon të lëngoj nga kjo e metë 

“Mbi bazën e rasteve të cilat kanë ndodhur në Kosovë, por edhe ato që kemi pranuar në institucionet tona të cilat janë trajtu, nuk është bërë sa duhet, vazhdon të ketë probleme sistematike, dhe problemet më të mëdha që Kosova ballafaqohet kanë të bëjnë me kompensimin apo përgjegjësinë shtetërore apo detyrimit ndaj viktimave të krimit. Bëhet fjalë për kompensimin dhe procedurat e shpejta që do të duhej të ishin mjet juridik për këto palë. Që Kosova për një kohë të gjatë vazhdon me lëngu nga kjo e metë, dhe shumë rrallë ndodhë që viktimat me marrë kompensimin adekuat për shkak të parregullësive dhe padrejtësive që kanë mundur me ndodhë nga vetë autoritetet, që janë të thirrura për të ofruar drejtësi”, deklaron Jashari.

Edhe ato pak raste kur shteti ka kompensuar, Jashari thotë se janë raste simbolike dhe në kohën kur ato fatkeqësisht kanë përfunduar me fatalitet.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala për KosovaPress, thotë se shteti nuk duhet të merret vetëm me ndëshkuesit, por edhe të parandalojë raste të tilla.

Shala: Ende mungon niveli profesional që të ketë rol parandalues 

“Ende mungon edhe përvoja por edhe niveli profesional, nuk është i ngritur që thjesht të luhet roli parandalues. Ne kryesisht të gjithë mekanizmat më shumë merremi me pasojat se sa që e kemi një rol parandalues. Mendoj që Policia, Gjykatat duhet të kenë një rol parandalues, mirëpo në rastin konkret edhe Policia por edhe Prokuroria edhe Gjykatat merrën më tepër me pasojat se sa që kanë një rol parandalues”, thotë Shala.

Ai konsideron se ashpërsimet ndëshkimore, janë mënyra më e mirë e parandalimit të këtyre rasteve.

Shala: Duhet të rritet numri i atyre që u kompensohet vuajtja e krimit 

“Ne ende viktimave u japim një statisfaksion moral se sa ua kompensojmë materialisht vuajtjet që i kanë përjetuar. Është qëllimi të rritet përqindja e atyre që u kompensohet si viktima të krimit. Unë mendoj se megjithatë është një datë për t’u shënuar, nuk është një datë e cila thjesht meriton të thurim elozhe dhe lavde të tjera ”, shton Shala.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme me moton "Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave", është shënuar 10 vjetori i Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit. Derisa është kërkuar ndëshkimi i autorëve të krimit, ambasadat e huaja në Kosovë kanë kërkuar mbrojtjen e viktimave.

Sipas Zyrës për Mbrojte dhe Ndihmë të Viktimave, në periudhën tetor 2018- shtator 2019, janë 1186 raste të dhunës në familje, 27 trafikim me njerëz, 9 vrasje, dhe 42 keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat