A u mbajt i fshehtë raporti zviceran për Astrit Deharin për shkak të zgjedhjeve?

Aktuale

A u mbajt i fshehtë raporti zviceran për Astrit Deharin për shkak të zgjedhjeve?

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 18:19
Astrit Dehari

Një takim ndërmjet Jean Hubert Lebet dhe Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi më 20 shtator ka nxitur spekulimet se rezultatet e raportit për rastin Dehari mund t’i jenë prezantuar Kryeprokurorit të njëjtën ditë, por gjithçka u hesht për shkak të zgjedhjeve të 6 tetorit. Avokati Tomë ka thënë se raporti që u publikua më 17 tetor ka arritur në Kosovë së paku para 8 tetorit. Ambasada e Zvicrës nuk është përgjigjur në pyetjet specifike të Gazetës duke thënë se për gjithçka rreth kësaj teme duhet pyetur Prokurorinë. Ky institucion ndërkaq ende nuk ua ka dorëzuar familjes Dehari raportin për shkak të përkthimit.

Kanë kaluar pesë ditë kur përmes një konference për media, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala njoftoi se ka arritur në Kosovë, përmes ambasadës së Zvicrës raporti për ekspertizën e rastit të Astrit Deharit.

Deri më tani, pavarësisht kërkesave të palës mbrojtëse e familjes Dehari ekspertiza nuk iu është dhënë atyre. Prokuroria në Prizren të premten prindërve e gruas së Deharit iu tha se rezultati i ekspertizës është dërguar për t’u përkthyer, e për këtë duhet të shkojnë disa ditë deri në përfundim. Kjo pavarësisht se familja Dehari kanë kërkuar që raporti t’u dorëzohet në gjuhën me të cilën është përcjellë në Kosovë.

E për tu ditur përmbajtja e saj familja do të duhet të presë edhe disa ditë. Kryeprokurori i Prizrenit i ka thënë medias se përkthimi i kësaj ekspertizë do të bëhet gjatë kësaj jave, pa e specifikuar datën.

Mirëpo, dita kur para medieve u tha se raporti ka ardhur në Kosovë, nuk është edhe data kur erdhi realisht në vend përmes ambasadës së Zvicrës.

Media mëson se ekspertiza në Kosovë ka ardhur me 20 shtator, e në atë ditë kishte pasur një takim në mes të kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezit e ambasadorit të Zvicrës.

Për këtë takim u lëshua edhe një komunikatë për media ku thuhet se kryeprokurori ka biseduar me ambasadorin Jean Hubert Lebet për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve të drejtësisë zvicerane.

Media ka kontaktuar dy herë ambasadën e Zvicrës duke pyetur se pse raporti i ekspertizës nuk u publikua deri më 17 tetor, kur për arritjen e saj u bë e ditur në konferencën që pati Kreu i Prokurorisë në Prizren, Admir Shala.

Të njëjtët rrjedhimisht nuk kanë dhënë detaje në pyetjet e dërguara se pse prokuroria në vend nuk e ka publikuar raportin që shkoi përmes ambasadës shumë më herët se data 17 tetor. Nga ambasada zvicerane, pavarësisht pyetjeve që kanë të bëjnë me këtë institucion janë përgjigjur dy herë në të njëjtën mënyrë.

“Faleminderit për kërkesën tuaj. Çdo kërkesë që ka të bëjë me hetimet që po vazhdojnë duhet t’i drejtohet Zyrës së Prokurorit”, kanë deklaruar nga kjo ambasadë përmes e-mailit.

Për këtë temë Express ka provuar që të kontaktojë edhe me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin e ministrin në detyrë të Drejtësisë, Abelard Tahirin. Asnjëri nga ta nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Se raporti për ekspertizën ka ardhur në Kosovë para datës që u tha në konferencë iu është thënë edhe avokatit të familjes Deharit, Tomë Gashi.

Gashi i ka thënë Expressit se me datë 8 tetor ka marrë konfirmim nga Instituti në Zvicër, saktësisht nga drejtoresha e këtij instituti se veçse ia kanë përcjellë organeve në Kosovë raportin për ekspertizën.

“Raporti u dërgua këtë javë së bashku me një propozim për njoftim për media”, thuhet në përgjigjen që drejtoresha e këtij instituti që e ka kryer edhe autopsinë e ka përcjellë te avokati i familjes Dehari. E njëjta tutje ka bërë të ditur se për përmbajtjen e saj mund të njoftojë opinionin vetëm klienti.

Gashi thotë se pavarësisht kësaj arritja e raportit nuk u bë publike deri më datën 17 tetor.

“Ambasada e Zvicrës nuk e ka bërë publike raportin deri më datën 17 tetor edhe pse nga Insituti Zviceran i Mjekësisë Ligjore në Lozanë në formë të shkruar jemi njoftuar se ata ekspertizën e kanë dërguar në Kosovë te institucionet para datës 8 tetor”, ka thënë avokati Gashi.

Image

Media ka raportuar me datë 15 tetor, se para datës kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme, Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrësi përcolli rezultatet për autopsinë e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Për këtë temë gazeta kishte komunikuar edhe me institutin zvicerian, që thoshte se për autopsinë mund të flasin vetëm në prokurori. Në këtë institucion në atë datë nuk e patën asnjë informacion se a është kthyer ekspertiza, deri dy ditë më vonë kur dolën me konferencë për media.

Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestua më 30 gusht të vitit 2016, i dyshuar se bashkë me aktivistë të tjerë sulmuan Kuvendin e Kosovës.

Image

Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 doli në përfundim se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit.

Në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat