Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është takuar me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, është njoftuar se gjatë këtij takimi është biseduar për procesin zgjedhor.
“Z. Sardi përshëndeti mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor duke vlerësuar pjesëmarrjen aq të madhe të qytetarëve në zgjedhjet demokratike në vend. Ai tha se, pas çertifikimit të rezultateve, është e rëndësishme të formohen institucionet dhe qeveria e re”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera thuhet se gjatë këtij takimi është biseduar për prioritet e qeverisë së re.
“Kurti e falënderoi ambasadorin Sardi për përkrahjen e deritanishme të Italisë ndaj Republikës Kosovës dhe shprehu bindjen se me qeverinë e re bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të ndërtohet e avancohet tutje. Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi. Në këtë drejtim, tha ai, janë duke u zhvilluar bisedimet nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike, që do t’i japin qeverinë e re Republikës. Për fund, z. Kurti foli edhe për parregullsitë dhe shkeljet gjatë procesit zgjedhor në komunat me shumicë serbe ku mungojnë sundimi i ligjit, pluralizmi politik e demokracia”, thuhet në njoftim.