Zyrtarët e qeverisë serbe fillojnë sulmet ndaj Kurtit për shkak të qëndrimit rreth “Zajednicës”

Aktuale

Zyrtarët e qeverisë serbe fillojnë sulmet ndaj Kurtit për shkak të qëndrimit rreth “Zajednicës”

Më: 22 tetor 2019 Në ora: 11:51
Albin Kurti

Zyrtarët e qeverisë së Serbisë kanë filluar sulmet ndaj kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për shkak të qëndrimit të këtij të fundit për çështjen implementimit të marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën”, Marko Gjuriq, ka thënë se deklaratat e Kurtit se “Asociacioni ka vdekur”, tregojnë se kreu i VV’së është një politikan i së kaluarës, dhe që nuk është i interesuar për të vendosur paqe dhe stabilitet në rajon.

Sipas tij, një qëndrim i tillë i Kurtit kundër krijimit të AKS’së, është edhe zhvlerësim i punës së BE’së, me ndërmjetësimin e të cilëve është arritur edhe marrëveshja.

“Duke mos inkurajuar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Kurti zhvlerëson drejtpërdrejt BE-në, me ndërmjetësimin e të cilëve është arritur edhe Marrëveshja e Brukselit”, ka thënë Gjuriq, shkruan RTS.

Tutje Gjuriq ka folur edhe për bashkëpunimin dhe takimet me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, si Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq e Rada Trajkovic. Ai thotë se një gjë e tillë është injorim i dëshirës së serbëve, pasi sipas tij Trajkoviq, Rashiq e Petroviq kanë fituar vetëm 3 për qind të mbështetjes së serbëve.

“Duke bashkëpunuar me serbë, si Rada Trajkoviq, Rashiq, e Petroviq, që bashkë kanë marrë vetëm 3 për qind të mbështetjes së serbëve të Kosovës, Kurti po ndërton një përcëptim të gabuar, që serbët e Kosovës nuk dëshirojnë krijimin e Asociacionit”, ka shtuar tutje.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe zëvendëskryeministrja serbe, Zorana Mihajloviq, e cila ka thënë se deklarata të tilla të Kurtit janë përpjekje për shtyrjen e mëtejshme të vazhdimit të dialogut.

Mihajloviq ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe “nuk është projekt i Serbisë, por një marrëveshje në mes të Beogradit dhe Prishtinës, që është arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

Tutje zyrtarja e qeverisë serbe thotë se është koha që politikanët në Kosovë të marrin përgjegjësi, ndërkohë për Kurtin thotë se është duke menduar që në çështjen e dialogut, gjithçka do të fillojë me të.

“Në vend që të marrin përgjegjësi dhe të kthehen në dialog, Kurti pretendon se gjithçka fillon me të”, ka thënë Mihajloviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat