Specialja s’ka të ndalur, tjetër ftesë - ftohet kryetari i kësaj komune

Aktuale

Specialja s’ka të ndalur, tjetër ftesë - ftohet kryetari i kësaj komune

Më: 22 tetor 2019 Në ora: 16:40
Selia e Gjykatës Speciale

Edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është ftuar nga Gjykata Speciale, raporton “Bota sot”.

Këtë e ka konfirmuar vetë Latifi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai nuk ka treguar se në cilën cilësi është ftuar për t’u intervistuar.

Ja shkrimi i tij:

Sot kam pranuar një ftesë për t’u paraqitur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.

Kam qenë i vetëdijshëm se rrugë tjetër për çlirimin e popullit shqiptar përveç luftës së armatosur nuk ka. Zaten, kjo është mënyra e vetme për të hequr robërinë popujt e pushtuar. I bindur në këtë pikëpamje, gjithnjë jam munduar që të bëj më të mirën për vendin tim, pa i cenuar vlerat morale të kombit shqiptar, të dëshmuara në luftë dhe në paqe. Jam thellësisht i bindur se asnjë forcë në botë nuk do të arrijë të përbalt luftën tonë të drejtë çlirimtare, sepse mbi çdo skenar dashakeqës qëndron parimi i popujve për liri dhe të drejta kombëtare. Prandaj, luftërat çlirimtare nuk mund të gjykohen, sepse përmbajnë në vete parimin e shëndoshë të humanizmit dhe të drejtësisë. Parime këto të përqafuara dhe të përfaqësuara nga kombet e civilizuara e të përparuara të botës Perëndimore.

Besoj në drejtësinë dhe asnjëherë nuk do të hezitoj të vihem në mbrojtje të të drejtës për liri e dinjitet njerëzor e kombëtar dhe jam gati të përballem me çfarëdo sfide. Mbetem i përkushtuar në sendërtimin e idealeve të kombit shqiptar dhe nga kjo rrugë nuk ka forcë që të më shkëpusë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat