Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ftuar ish-drejtuesit Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton T7
Kanë kaluar më shumë se 4 vite që kur Kuvendi i Kosovës, votoi për themelimin e Gjykatës Speciale.
Në Parlament ligji përkatës mori mbi 2/3 e votave.
Ndërsa ata që e kërkonin themelimin e këtij organi, thoshin se Gjykata Speciale do të ketë në fokus individët e jo UÇK-në si organizatë.
Në mesin e tyre ishte edhe vet Hashim Thaçi, që në atë kohë ishte ministër i Punëve të Jashtme e zëvendëskryeministër i parë.
Një gjë e tillë ishte konstatuar edhe në raportin e Task Forcës Speciale që ishte krijuar nga Bashkimi Evropian, për hetimin e pretendimeve të Dick Martyt.
Këtë task forcë e kryesonte prokurori amerikan Clint Williamson.
E individët që e kanë udhëhequr UÇK-në, tashmë janë ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Madje kjo zyrë ka prekur ish krerët e Shtabit të Përgjithshëm.
Fillimisht, në cilësinë e të dyshuarit, hetuesit nga Haga intervistuan ish komandantin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimin.
Në llupën e këtyre hetuesve ka përfunduar edhe ish shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi.
E një ditë më parë u mor vesh se si i dyshuar është ftuar edhe Azem Syla, një nga eksponentët më të rëndësishëm të UÇK-së.
Emri i tij përmendet disa herë edhe në raportin e Dick Maty.
E pos zyrtarëve të Shtabit të Përgjithshëm, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka intervistuar edhe komandantët e zonave operative.
I pari që u ftua nga ky rang i udhëheqësve të UÇK-së, ishte Rrustem Mustafa, që kishte drejtuar zonën e Llapit.
E menjëherë pas tij ishte ftuar edhe komandanti i zonës së Drenicës, Sami Lushtaku.
Ftesës si i dyshuar nuk i shpëtoi as ish komandanti i Dukagjinit, tani kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, janë dhe një numër i madh anëtarëve të shtabit dhe ish ushtarëve të UÇK’së që kanë pranuar ftesa, sidomos ditët e fundit.
Këtë e konfirmojnë dhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së.
Në OVL-UÇK presin që edhe ditët në vijim të ketë numër të madh të ftesave.