Kryhet takimi VV – LDK: Po përgatisim propozimet për Kurtin e Mustafën, do të takohemi çdo tre ditë

Aktuale

Kryhet takimi VV – LDK: Po përgatisim propozimet për Kurtin e Mustafën, do të takohemi çdo tre ditë

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 14:58
Lumir Abdixhiku

(E plotësuar) - Grupet punuese nga LDK dhe VV sot mbajtën takimin e dytë.

Pas këtij takimi, për media foli Lumir Abdixhiku nga LDK. Ai tha se takimi u zhvillua në frymë shumë pozitive, derisa kanë folur për formatin e qeverisjes.

“Sot e patëm takimin e dytë në vazhdën e grupeve punuese. Njëjtë si edhe në takimin e parë u zhvillua edhe sot takimi në frymë pozitive dhe përafrim të subjekteve politik.

Agjenda e takimit për dy javët e ardhshme synon të orientohet në tema, në ekonomi, arsim, shëndetësi, sundim të ligjit, e në veçanti për formatimin e qeverisë së ardhshme.

Kemi folur për 12 ministritë se si do të duken ato”, tha ai.

Tutje Abdixhiku shtoi se takimi i radhës do të mbahet këtë të hënë në orën 15:00 dhe do të zhvillohet në zyret e LDK-së.

“Çdo tre ditë do të ketë takime. Nuk ka çasje për emra konkret, synojmë të flasim për tema të tjera dhe më pas liderët e dy subjekteve do në bazë të proporcionit do të bëjnë marrëveshje finale”.

Ai tutje shtoi se deri më tani kanë përafrime në temat që kanë diskutuar, por që janë në pritje të certifikimit final të rezultateve të zgjedhjeve.

Nis takimi i grupeve punuese të VV-LDK

Avdullah Hoti dhe Lumir Abdixhiku tashmë kanë mbërritur në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje ku po mbahet takimi i dytë i grupeve punuese të këtyre dy subjekteve politike.

Ashtu sikurse në takimin e parë, Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet nga Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu dhe Besnik Bislimi.

Në këtë takim temë diskutimi pritet të jetë dialogu me Serbinë. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress pak para së të nisë takimi, Albulena Haxhiu.

Haxhiu flet para takimit me LDK-në: Sot diskutojmë edhe për dialogun

​Në takimin e sotëm në mes dy grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës temë diskutimi pritet të jetë dialogu me Serbinë.

Kështu ka bërë të ditur pak para takimit,anëtarja e grupit punës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

“Janë disa çështje të cilat do diskutohen dhe që i kemi diskutuar pak a shumë edhe në takimin e kaluar. Por sot do të flasin më gjerësisht. Njëra prej çështjeve që do të diskutohet do jetë edhe dialogu me Serbinë besojmë që duke marr parasysh bashkëpunimin tonë dyvjeçar me LDK-në që kemi pasur në kohën sa kemi qenë në opozitë ky bashkëpunim na ka shërbyer edhe për harmonizim të qëndrimeve sepse ju e dini që bashkërisht e kemi kundërshtuar shkëmbimin territorial, bashkë e kemi kundërshtuar projektligjin për dialogun në Gjykatën Kushtetuese", tha ajo.

Takimi  në mes të dy grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së pritet të fillojë në orën 15:00 në selinë qendrore të LVV-së në Prishtinë.

Këto dy subjektet pritet të diskutojnë edhe rreth harmonizimit të programit qeverisës, rreth politikave të brendshme dhe atyre të jashtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat