Ahmeti: Korrupsioni e krimi nuk luftohet nga të korruptuarit e të kriminalizuarit

Aktuale

Ahmeti: Korrupsioni e krimi nuk luftohet nga të korruptuarit e të kriminalizuarit

Nga: D. B Më: 23 tetor 2019 Në ora: 15:40
Hidajet Ahmeti

Korrupsioni  në një shtet është kancer për shoqërinë dhe vrasje e të ardhmes së asaj shoqëria. Mbijetesa e njerëzve të korruptuar e kriminalizuar në një shoqëri tranzicionale është falë kapjes së sistemit nga mafio-oligarkët dhe strukturat kriminale të nëntokës.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Hidajet Ahmeti, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se korrupsioni e krimi nuk luftohet nga të korruptuarit e të kriminalizuarit, pasi kjo është shumë logjikë e thjeshtë, pasi ata nuk e luftojnë vetën.

“Por të luftuar krimin e korrupsionin duhen të plotësohen disa parakushte të cilat e determinojnë rrjedhën e proceseve të pastra drejt pastrimit e verifikimit të  zyrtarëve publik, të cilët janë të përfshirë në krim e korrupsion. Procesi i Vettingut është imperativë i kohës që të iniciohet, pasi është shpresa dhe mundësia më e mirë që sistemi i drejtësisë të pastrohet nga njerëz të korruptuar e kriminalizuar, dhe njëkohësisht të largohet sistemi i drejtësisë nga kthetrat e politikës”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Sipas tij, çlirimi dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë nga politika është shpëtimi  më i nevojshëm që duhet t’i ndodh shtetit të Kosovës.

“Me çlirimin dhe pastrimin e këtij sistemi, drejtësia e mohuar dhe selektive do të kthehet për qytetarët në mënyrë të barabartë e të paanshme, kurse të kriminalizuarit dhe të korruptuarit do të përfundojnë në burg dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme, e cila do t’ju kthehet qytetarëve. Këto veprime mund të bëhen nga një qeveri kredibile, me duar të pastra e me njerëz profesionistë, por mbi të gjitha vullneti politik duhet të mbizotërojë. Besoj që me formimin e qeverisë së re do të ketë hapa konkret karshi kësaj çështje, pasi një gjë e tillë është imperativ i kohës”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat