Smajl Latifi flet pas ftesës nga Specialja

Aktuale

Smajl Latifi flet pas ftesës nga Specialja

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 15:51
Smajl Latifi

Ish-komandanti i Batalionit të Tretë të Brigadës 124 "Gani Paçarizi”, njëherësh kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi me datën 30 tetor do të udhëtojë në Hagë për t’iu përgjigjur ftesës së Gjykatës Speciale.

Në një intervistë Latifi tha se ende nuk ka marrë ndonjë vendim se a do të mbrohet në heshtje apo do të jap dëshminë e tij.

E në këtë rast, sipas të parit të Rahovecit, nëse i jepet mundësia do të flasë mbi të gjitha krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë, e në veçanti në Rahovec.

Latifi thotë se ftesa që i ka ardhur ka të bëjë me dëshmitë rreth organizimit dhe strukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Latifi: Specialja kërkon dëshmi rreth organizimit të UÇK-së

“Në kuadër të kësaj edhe mua më ka ardhur një ftesë për të paraqitur dëshmi rreth organizimit, strukturimit, riorganizimit rreth luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sigurisht në këtë zonë. Ma shumë nuk kam informata për çka, por me siguri më të madhe do të qartësohet pozicioni gjatë momentit të intervistimit”, thotë Latifi.

Përkundër se ftesa prej Gjykatës Speciale i është nisur me datën 7 tetor, Latifi thotë se dje pasdite e ka marrë zyrtarisht atë.

Latifi: Më 30 tetor më është caktuar dëshmia në Hagë

“Me datën 30 më është caktuar, 30 tetor. Ftesa siç asaj që kam pa unë, me shtatë tetor është nisur, por dje pasdite ka ardhur zyrtarisht”, pohon kryetari i Rahovecit.

Për mënyrën si do të paraqitet në Speciale, ish komandanti nuk dha detaje, por u shpreh i habitur se pse është ftuar nga kjo Gjykatë. 

Latifi: Nuk e di edhe pse jam thirrur

“Të shohim, nuk mund të komentoj më shumë, në fakt nuk e di edhe pse më kanë thirrur. Nuk kam asgjë specifike. Sidoqoftë nëse do të më jepet rasti do të flas mbi krimet monstruoze që Serbia i ka bërë në Kosovë. E me theks të veçantë në komunën e Rahovecit. Unë jam njëri prej atyre të shumtëve që di çfarë krime kanë ndodhur se kam zhvarrosur, varrosur, kam parë njerëz të masakruar”, thotë ai.

Ditëve të fundit Gjykata Speciale ka intensifikuar ftesat ndaj luftëtarëve të UÇK-së, por dhe ndaj përfaqësuesve të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat