Gjykatësja “harron” ta shkruajë aktgjykimin, dënohet për herë të dytë i akuzuari se përdori armën pa leje

Aktuale

Gjykatësja “harron” ta shkruajë aktgjykimin, dënohet për herë të dytë i akuzuari se përdori armën pa leje

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 19:11
Foto

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, brenda pak muajsh e ka dënuar dy herë për të njëjtat vepra penale të akuzuarin, Ahmet Rrahimi.

Ai akuzohej për armëmbajtje pa leje dhe për përdorim të armës, për çka të mërkurën, për herë të dytë është dënuar me një vit burg dhe 300 euro gjobë me kusht, pasi e ka pranuar fajësinë për të dy veprat penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Arsyeja pse ai është dënuar dy herë për të njëjtat vepra penale, është se gjykatësja në herën e parë, Elheme Jashari, nuk e kishte përpiluar në formë të shkruar aktgjykimin që ishte shpallur më 28 maj 2019.

Ky aktgjykim ishte shpallur, pasi që i akuzuari edhe në shqyrtimin fillestar në gjykimin e parë e kishte pranuar fajësinë për të dy veprat penale.

Por, pasi që aktgjykimi nuk kishte marr formë të shkruar dhe pasi që gjykatësja Jashari kishte kaluar në Departamentin për të Mitur, lënda si e papërfunduar i ishte ndarë gjykatësit Minir Hoti.

Që ai njëherë ishte dënuar për këtë rast, i akuzuari e ka thënë në seancën e së mërkurës, ku sipas tij, atëherë gjykatësja Jashari e kishte njoftuar se ai ishte dënuar me kusht, por që në shkresat e lëndës nuk figuron se ekziston shpallje aktgjykimi dhe as aktgjykim i formës së shkruar.

Për  seancën e së mërkurës, ai ishte ftuar nga gjykatësi Minir Hoti, me ç’rast ky i fundit ka thënë se rasti i tij duhet të gjykohet sërish, pasi që sipas tij, me gjasë gjykatësja e kishte harruar përpilimin e  aktgjykimit.

“Të kemi thirr edhe ni herë, për nji landë që e ke pas te gjyqtarja Elheme Jashari, por që e njëjta me gjasë nga vëllimi i madh i punës ka harru me përpilu aktgjykimin”, ka thënë mes tjerash gjykatësi Hoti.

Pas kësaj, i akuzuari sërish e ka pranuar fajësinë, pasi prokurori Rexhep Maqedonci ka thënë se nuk ndryshon asgjë nga akuza dhe se sipas tij, ai duhet të deklarohet për dy veprat penale që i ngarkoheshin me aktakuzën që mbante nënshkrimin e prokurores Merita Shala-Muhaxhiri.

Ndërkaq, në aktgjykimin e shpallur të mërkurën, është konfiskuar arma që ka qenë pjesë e veprës penale, kurse ai është liruar nga shpenzimet procedurale për shkak të gjendjes së tij sociale dhe statusit të veteranit të luftës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 shkurt 2018, Ahmet Rrahimi akuzohet se nga koha e pacaktuar deri më 2 gusht 2017, rreth orës 18:40, në fshatin Revuqë të Podujevës, e ka poseduar armën pushkë automatike, prodhim kinez dhe një karikator të zbraztë, të cilat i posedonte pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët.

Ndërsa, në dispozitivin e dytë, ai akuzohet se ka gjuajtur me të njëjtën armë në kundërshtim me ligjin.

Ai akuzohej se kishte kryer veprat penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375 par.1 të KPRK-së.

“Betimi për Drejtësi”, kishte raportuar më 28 maj 2019, për shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Rrahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat