Haxhiu: Më e mira do të ishte ndarja 50-50 e ministrive me LDK-në

Aktuale

Haxhiu: Më e mira do të ishte ndarja 50-50 e ministrive me LDK-në

Më: 24 tetor 2019 Në ora: 00:30
Albulena Haxhiu

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, kandidate edhe për një mandat të ri, Albulena Haxhiu, ka thënë se në takimin e sotëm mes zyrtarëve të VV-së dhe të LDK-së janë caktuar afate se kur duhet të përfundojnë takimet e grupeve të ekspertëve.

Në Interaktiv të KTV-së, Haxhiu tha se 7 nëntori pritet të jetë takimi i fundit i këtyre grupeve punuese.

“Sot i kemi vendosur afate vetes, nuk do të vazhdojmë kështu pafund me këto takime, por e kemi strukturuar punën tonë. Të hënën e ardhshme do të mblidhen sërish grupet punuese ku do të flasin për zhvillimin ekonomik. Të enjten e ardhshme flasim për rendin dhe ligjin, e kështu me radhë”.

“7 nëntorin e kemi përmendur si takimin e fundit të këtyre grupeve. Por, para certifikimit të rezultateve zgjedhore s’do ta bëjmë as ne nënshkrimin e marrëveshjes. Marrëveshja mund të nënshkruhet pas certifikimit, dhe ne do të jemi gati deri atëherë”, potencoi Haxhiu.

Ajo tha se nuk është diskutuar në takimin e sotëm për numrin e grave që do të jenë pjesë e qeverisë së re, por tha se kjo është diskutuar në takimin e parë. Sipas saj, përqindja e grave pjesëmarrëse në qeverinë e re mund të shkojë deri në 50%.

“Nuk e kemi diskutuar sot se sa gra do të jenë në qeveri, por e kemi diskutuar në takimin e parë. Zoti Kurti, por edhe zonja Osmani më duket, patën nënshkruar zotimet e shoqërisë civile për përfshirje të 30% të grave në qeveri. Por, ne do ta rrisim këtë, deri në 50 për qind. Minimumi do të jenë 30%”, tha ish-deputetja e VV-së.

Ajo thotë se nuk është folur për emrat e përveçëm për drejtimin e ministrive, ndërsa tha se ajo vetë është e gatshme të kontribuojë kudo që e kërkon Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas saj, LVV-ja nuk ka insistuar në marrjen e ministrive të caktuara, duke potencuar se s’ka një kusht të tillë si ‘o kështu o ndryshe s’bën’.

“Ne ende s’e kemi definuar asnjë ministri. Ende s’janë diskutuar se kush cilën ministri do ta drejtojë, sepse besoj që kjo është përgjegjësi e kryetarëve të partive. Ministria e Drejtësisë dhe e Brendshme lidhen më shumë me Kryeministrin. Ndoshta për këtë arsye i kemi përmendur, por nuk kemi kushtëzuar. Kemi besim të ndërsjellë me LDK-në dhe besoj se do të vazhdojmë kështu”, tha Haxhiu.

Ajo tha se as nga LDK-ja nuk ka pasur kushte për koalicion paszgjedhor, ndërsa ka përmendur faktin e mosarritjes së marrëveshjes për koalicion parazgjedhor.

Sipas saj, ndarja më e mirë e dikastereve do të ishte 50-50, pasi, siç tha ajo, kryeministri nuk hyn në këtë kombinim pasi “LDK-ja nuk na e dha kryeministrinë, por elektorati”.

Ish-deputetja e VV-së tha se secili ministër do ta ketë obligim që t’i raportojë kryeministrit dhe theksoi se kjo s’do të lejojë që të ketë privatizime të ministrive nga partitë e ndryshme politike gjatë qeverisjes së kaluar, të cilat, siç tha ajo, “kanë bërë çfarë kanë dashur në to”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat