Prokuroria heshtë për vdekjen e Astrit Deharit

Aktuale

Prokuroria heshtë për vdekjen e Astrit Deharit

Nga: N.Sh Më: 26 tetor 2019 Në ora: 11:53
Astrit Dehari

Prokuroria Speciale e Kosovës, është duke heshtur për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit.

Gazeta “Bota sot”, që nga dita e djeshme është duke pritur një përgjigje nga ana e Prokurorisë, mirëpo këta të fundit nuk janë munduar fare.

Ndoshta, edhe pyetjet e dërguara në drejtim të Prokurorisë ishin paksa të “vështira” për ta.

Ne pyetëm Prokurorinë se tash pas publikimit të ekspertizës zvicerane, cilat janë hapat që do të bëj Prokuroria, a do të nis një hetim të ri dhe a do të largohen të gjitha hetuesit paraprak që janë marrë me këtë çështje, por që këta të fundit nuk dëshiruan të përgjigjen.

Ndërkohë, familja e Astrit Deharit, tashmë kanë pranuar raportin zviceran lidhur me vdekjen e të birit.

Sipas konkluzioneve të para bëhet fjalë për vrasje.

Prindi i Astritit, Avniu ka deklaruar se duhet nisur menjëherë hetimet lidhur me këtë.

Tutje babai i Deharit, e ka bërë fajtor prokurorin Sylë Hoxha, i cili në fillim ka qenë kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit dhe është deklaruar për mediat për këtë rast.

“Unë shfrytëzoj rastin si prind që ta falënderoj avokatin që ta zbardhë të vërtetën si rast. I falënderoj ekspertët që nuk u janë nënshtruar trysnive politike për ta dhënë një raport. Dua ta përmend se në rastin e Astrit Deharit që e kanë vrarë në burgun e Prizrenit, përgjegjës janë përveç Sylë Hoxhës së bashku me kompaninë e tij e ministren Dhurata Hoxha”, ka deklaruar Avni Dehari.

E për këtë çështje, Sylë Hoxha, tash prokuror special ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë prokuror i këtij rasti. Dhe se për këtë punë, gjithmonë ka folur në cilësinë e kryeprokurorit të Themelores së Prizrenit.

“Ju duhet t’i drejtoheni prokurorisë së Prizrenit. Unë asnjëherë nuk kam qenë prokuror i këtij rasti. Unë vetëm kam lexuar një raport. Për gjithçka tjetër referojuni prokurorisë”, ka deklaruar Sylë Hoxha.

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, ka ardhur në përfundim se gjasat janë të vogla që Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, ta ketë vrarë veten në burg.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit DEHARIT përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në raport.

Aty gjithashtu tregohet se analizat e ADN-së që janë kryer në laboratorin e Institutit Zviceran, kanë nxjerrë një profil të ADN-së së të ndjerit, ani pse nga ekspertët kosovarë është thënë se mostra përmban pak ose krejt pak ADN.

“Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet në përfundimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat