Ngecjet dhe përfitimet e MSA-së, katër vjet nga nënshkrimi

Aktuale

Ngecjet dhe përfitimet e MSA-së, katër vjet nga nënshkrimi

Më: 27 tetor 2019 Në ora: 15:53
Isa Mustafa dhe Frederica Mogherini

Kosova po vazhdon të ‘ngecë’ në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, duke mos arritur të përmbush prioritetet e agjendës evropiane. Njohës të kësaj çështje thonë se që nga viti i nënshkrimit të MSA-së, është shënuar regres në zbatimin e saj. Ndërkaq, njohës të ekonomisë konsiderojnë se Kosova nuk ka përfituar sa duhet në aspektin ekonomik.

Një gjë të tillë për KosovaPress e thotë njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, sipas të cilit Kosova nga kjo marrëveshje nuk ka rezultuar me përfitime të mëdha ekonomike, derisa thekson se ende vazhdon të jetë importi shumë më i madh se eksporti.

Kadriaj: Ne nuk kemi përfituar nga ana ekonomike “E mira është që ekonomia tregohet me vlera. Në këtë rast përderisa ne nuk kemi rritje të eksportit, por rritje të importit kjo tregon më së miri që ne nuk kemi përfituar nga ana ekonomike, sepse ne jemi bërë një vend i importit dhe i tranzitit. Pra, më së paku një vend i eksportit, për shkak që ekonomia vendore ende është një ekonomi anemike nga ana e konkurrencë në nivel të një tregu evropian, kur dihet se çfarë kërkesa ka tregu evropian, për një produkt që të kalon, që të jetë produkt që mund të shitet”, deklaron Kadriaj.

Krahas kësaj, Kadriaj thotë se përkundër që Kosova nuk ka pasur përfitim ekonomik nga MSA, ka provuar që të zbatojë këtë marrëveshje që të jetë korrekt edhe me Bashkimin Evropian. Megjithatë, sipas tij, kjo e fundit nuk e ka vlerësuar një gjë të tillë, në mënyrë që të jep dritën jeshile për liberalizim të vizave.

Kurse, Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), në një përgjigje me shkrim, ka shkruar se në baza vjetore ka pasur regres të vazhdueshëm në numrin e reformave të zbatuara.

“Në vitin 2016, programi kishte 1,347 masa, nga të cilat institucionet arritën të përmbushin 741. Në vitin 2017, programi kishte 967 masa, nga të cilat institucionet arritën të përmbushin 600. Në vitin 2018, programi kishte 532 masa, nga të cilat institucionet arritën të përmbushin 362”.

E Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tregon se për vitin 2018, janë zbatuar 64 përqind e masave të parapara, ndërsa 11 përqind prej tyre kanë mbetur të pa zbatuara. Moszbatimi i këtyre masave, sipas saj, është si pasojë e mos koordinimit të mirë ndërmjet ministrive.

“Është e rëndësishme të kuptohet që zbatimi i masave nuk varet vetëm nga një institucion shtetëror i Republikës së Kosovës, pra ministritë duhet të kenë koordinim të mirë. Lidhur me zbatimin e këtyre masave është identifikuar se mos koordinimi ose koordinimi jo i mirë mes ministrive ka shkaktuar qe këto masa të mos zbatohen. Per me teper, disa nga këto masa janë cilësuar si të pa realizueshme që nga fillimi i krijimit të tyre ose janë cilësuar të jenë shumë ambicioze për ambientin në të cilin gjendet Kosova për momentin. Njekohesisht, mungesa e vullnetit ka qene dhume e shprehur ne mos zbatimin e masave legjislative”, ka thënë Hoxha në një përgjigje me shkrim.

Sa i përket përfitimeve që ka pasur Kosova nga kjo marrëveshje, Demush Shasha konsideron se shtrihen në katër rrafshe, duke përfshirë atë politikë, ekonomikë, financiar dhe reforma afatgjate.

“Përfitimi politik: MSA-ja ka avancuar statusin e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, duke krijuar raport kontraktual dhe formal marrëdhëniesh në mes Kosovës dhe BE-së. Me fjalë të tjera, MSA-ja ka vulosur përcaktimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në BE dhe ka nisur procesin zyrtarin drejt anëtarësimit në BE. Përfitime ekonomike: MSA-ja ka hapur për bizneset Kosovare tregun e BE-së prej 500 milionë qytetarë. Njëkohësisht, MSA-ja ka paraparë liberalizimin e tregut në mes Kosovës dhe BE-së, duke ofruar kështu çmime më të lira dhe produkte dhe shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës. Përfitime financiare: Që nga hyrja në fuqi e MSA-së, Kosova ka përfituar fond më të mëdha nga BE-ja. Në vitin 2016 (viti i hyrjes në fuqi i MSA-së), asistenca e IPA-s për Kosovën është rritur në mënyrë eksponenciale, nga 222.71 milionë euro në vitin 2014-2016, në 379.46 milionë euro në vitin 2017-2020�€ , shprehet Shasha.

Me nënshkrimin e MSA-së, Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës, thotë se ndër vitesh ka pasur rritje të eksporteve kosovare në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas tij, kjo marrëveshje ka prodhuar rezultate në aspektin e rritjes së eksportit të Kosovës, por edhe të importit.

Stavileci thekson se rritja e eksportit në Kosovë, shkon në 10 përqind brenda vitit.

Stavileci: Kemi rritje të eksportit në vende të ndryshme “Kemi rritje të eksportit të Gjermanisë prej 27 përqind në krahasim me periudhën paraprake, gjithashtu kemi edhe rritje në Itali pak më shumë, prej 155 përqind, pra ka produkte të Kosovës, të cilat janë duke u eksportuar drejt Italisë, kemi rritje në Kroaci, kemi rritje në Danimarkë, kemi rritje në vende të ndryshme skandinave, kemi rritje drejt Francës dhe vendeve të tjera të Unionit Evropian që është një zhvillim shumë pozitiv për zhvillimin e Kosovës”, thotë Stavileci.

Krahas kësaj, eksporti i Kosovës sipas Stavilecit, vazhdon ende të jetë i ultë në krahasim me vlerën e importit, megjithatë siç thotë ai, trendi i rritjes është pozitiv.

Ai konsideron se të gjitha bizneset kosovare mund të eksportojnë në vendet e Bashkimit Evropian, por që duhet të plotësohet kushti që produktet e tyre të jenë me origjinë nga Kosova.

Kujtojmë se MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Evropian kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij qeverisës dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat