Kompanitë e sigurimeve në 6 muajt e parë 2019 paguan 22 milionë euro dëme

Aktuale

Kompanitë e sigurimeve në 6 muajt e parë 2019 paguan 22 milionë euro dëme

Më: 29 tetor 2019 Në ora: 12:25
Ilustrim

Në kuadër aktiviteteve për të shënuar Ditën botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, Policia e Kosovës gjatë ditës sotme ka realizuar një prezantim mbi sigurinë në trafikun rrugor.

Me këtë rast, u kërkua vetëdijesim më i madh i qytetarëve në trafik, sigurim të automjeteve dhe ngritje të sigurisë rrugore në një agjendë më të lartë.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, nënkoloneli Jeton Rexhepi shprehu nevojën për një edukim dhe vetëdijesim më të madh të qytetarëve për trafikun rrugor.

Teksa tregoi disa nga statistikat e policisë për aksidentet në trafik, ku sipas tij gjendja sa i përket aksidenteve fatale në Prishtinë në  periudhën janar-shtator 2019 është më e mirë se ajo e vitit paraprak.

Rexhepi: Për janar-shtator të këtij viti mund të themi që gjendja është më e mirë

“Për pjesën janar-shtator të këtij viti mund të themi se është një gjendje pak më e mirë sa i përket personave të vdekur. Kemi një person më pak, kemi 136 aksidente me lëndime më pak. Janë 513 persona të lënduar më pak që konsiderojmë se është një aktivitet i angazhimeve policore pozitive”, tha nënkoloneli Rexhepi.

Nga Këshilli i Sigurisë për Siguri në Trafik në Ministrinë e Infrastrukturës, Fejzullah Mustafa tha se siguria rrugore duhet vendoset në një agjendë më të lartë se sa është tani, por për të realizuar këtë nevojitet dhe buxhet.

Mustafa: Siguria rrugore të vendoset në një agjendë më të lartë se sa është tani

“Kërkohet nga të gjitha mekanizmat ndërkombëtare qoftë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara nga BE që siguria rrugore të vendoset në një agjendë më të lartë se sa është tani”, tha ai.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shoqatës së Sigurimeve në Kosovë, Sami Mazreku teksa tregoi qëllimet e punës tyre, tha se shqetësimi kryesor i tyre është  numri i madh i automjeteve të pasiguruara.

Image

Mazreku:  Kompanitë e sigurimeve në 6 muajt e parë 2019 paguan 22 milionë euro dëme

“Nga 2001 deri në vitin 2018, komplet sektori ka paguar 400 milionë euro dëme nga sigurimet, këtu bëjnë pjesë edhe pjesa e dëmeve të pa siguruara që ka paguar sektori, të cilat janë barrë për  kompanitë e sigurimeve... Vetëm gjashtëmujori i parë i vitit 2019 kompanitë e sigurimeve kanë paguar 22 milionë euro dëme, e që është një rritje prej 5.8 për qind krahasuar me vitin paraprak”, u shpreh Mazreku.

Këtë aktivitet Policia e Kosovës e ka realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, Këshilli i Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, me qëllim të shënimit të Ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, e cila këtë vit shënohet më datën 17 nëntor 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat