Mospajtime brenda KQZ-së për votat e diasporës, por aktgjykimi i Supremes do të zbatohet

Aktuale

Mospajtime brenda KQZ-së për votat e diasporës, por aktgjykimi i Supremes do të zbatohet

Më: 31 tetor 2019 Në ora: 11:44
Mbledhja e KQZ

(E plotësuar)-  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka diskutuar për aktgjykimin e Gjykatës Supreme për numërimin e fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, me ç’rast u tha se ky aktgjykim është obligues për KQZ.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u shpreh se në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Supreme janë të obliguar që të numërojnë fletëvotimet e votuesve jashtë Kosovës.

Ajo tha se e kanë obligim që të zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Supreme.

Daka: Ne jemi obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet e votuesve jashtë Kosovës

“Tashmë e kemi një aktgjykim të Gjykatës Supreme dhe në bazë të këtij aktgjykimi ne jemi obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet e votuesve jashtë Kosovës. Mendoj që nuk ka nevojë me e komentua këtë aktgjykim, e kemi obligimin dhe nuk besoj që kemi çka me shtua më tepër sa i përket këtij aktgjykimi. Na pëlqeu, nuk na pëlqeu aktgjykimi tashmë është në duart tona dhe ne kemi detyrim ligjor që ta zbatojmë ashtu siç është, me siguri që do ta zbatojmë”, tha ajo.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, tha se me këtë vendim të Gjykatës Supreme po ndryshon ligji për zgjedhjet e përgjithshme.

Gashi: Faktikisht po ndryshon ligjin me vendime gjyqësore

“Vendimi dhe ankimimi nuk ka të bëjë edhe me 1 mijë e 700 pako të tjera të cilat kanë ardhur me 17 tetor. Do të thotë duhet ta dimë se për cilën pjesë, konsideroj që gjykimi është për 4 mijë e 600 pako, po jo edhe për 1 mijë e 700 të cilat kanë ardhur me 17 tetor, e ndoshta është mirë njësia me këqyrë mos ka edhe sot. Realisht po bëhet një procedantë ndoshta duhet me kërkua edhe interpretim të ligjit të zgjedhjeve të përgjithshme në Gjykatën Kushtetuese, sepse faktikisht po ndryshon ligjin me vendime gjyqësore. Me këtë vendim ka ndryshuar ligji për zgjedhjet e përgjithshme, sepse ne jemi para akteve që nuk e dimë se në të ardhmen si do ta zbatojmë këtë ligj që është në fuqi dhe që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha ai.

Edhe anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, deklaroi se ky vendim është në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet. Madje, ai ka ironizuar duke thënë se mos ka mbetur edhe ndonjë pako në Merdarë.

Hamiti: Është bastarduar totalisht

“Edhe ndonjë kompani aziatike atje është shuar e ka tash edhe prej Malajzisë ndonjë futbollist ka aplikuar atje me votua, duhet me ia prit votën atij. A pjesë tjetër aziatike, Afrikë dhe me prit ne në pakufi që kanë me ardhë fletëvotime, se ka ndodh procedenti. Është një vendim që është në kundërshtim me ligjin që është i zgjedhjeve. Tash me atë logjikë duhet me prit diku rrugës mos ndonjë kompani tjetër e autobusëve apo diku qysh i kanë transportuar Lista Srpska, mos ka mbet ndonjë pako në Merdarë. Është bastarduar totalisht, se procesi deri ditën e votimit ka shkuar shumë mirë ne po e bastardojmë me këto vendime”, tha ai.

Kurse, anëtari i VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi, vendimin e Gjykatës Supreme e ka quajtur të drejtë.

Rrustemi: Fau postar është hapësira e KQZ-së për këtë funksion në postë të Kosovës

“KQZ e ka faun postar, nuk është që a shkon apo nuk shkon, fau postar është hapësira e KQZ-së për këtë funksion në postë të Kosovës, që nënkupton është zyra e KQZ-së, do të thotë kur mbërrinë në faun postar ka mbërri tashmë në hapësira të KQZ-së. Principi është i qartë dhe po aktgjykimi e ka ndryshuar ligjin për zgjedhje kur bëhet fjalë për këtë dispozitë dhe unë konsideroj që e ka plotësuar, ashtu siç e ka pas plotësuar në 2017 aktgjykimi i Gjykatës Supreme kur është bërë fjalë për të drejtën e kandidimit”, tha ai.

Në këtë mbledhje të KQZ-së, Besnik Buzhala nga Divizioni i Shërbimit të Votueseve, ka bërë të ditur se janë edhe 1 mijë e 806 fletëvotime të ardhura pas afatit, për çka ka kërkuar që të dijë se çka do të bëhet me to.

Ai tha se arsyeja e vonesës së tyre është e njëjtë sikurse e 4 mijë e 639 fletëvotime për të cilat ka marrë vendim Gjykata Supreme që të numërohen.

Buzhala: Është natyra e njëjtë sikurse e këtyre që kanë ardhur prej 8 deri me 11 tetor

“Ne i kemi 6 mijë 445 pako të supozuara me fletëvotime, se nuk e dimë çka ka brenda përderisa nuk e bëjmë vlerësimin e tyre. Tash këto 4 mijë e 639 ne i kemi të klasifikuara ndaras prej këtyre 1 mijë e 806. Do të thotë 4 mijë e 639 fletëvotime të cilat janë pranuar nga data 8 tetor deri më datën 11 tetor 2019, 1 mijë e 806 fletëvotime tjera të cilat kanë arritur pas afatit janë të klasifikuara në dy thasë. Kemi ardhur në një rekomandim për KQZ-në që me e marr një vendim për procedimin ose jo të këtyre 1 mijë e 806 të pakove me fletëvotime, të cilat nuk futen në numrin sipas aktgjykimit të cilin e ka marrë Gjykata Supreme. Tash nëse flasim për parimin e së drejtës a vlen edhe për këto, mbase edhe mund të vlejë se natyra është e njëjtë, do të thotë edhe këto që kanë ardhur me datën 17 tetor 2019 është natyra e njëjtë sikurse e këtyre që kanë ardhur prej 8 deri me 11 tetor”, tha ai.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se nuk do të marrin vendim për këto vota, por që u shpreh se i mbetet shërbimit të votuesve që të vendos se çka të bëhet me to.

Daka: I mbetet që ose Shërbimi i Votuesve të veprojë qysh ka vepruar deri tash

“Sa i përket këtyre votave tjera që kanë ardhur pas afatit se këto janë të gjitha pas afatit, pra nuk ka këtu asnjë votë që ka ardhur në afat dhe të gjitha janë nga diaspora, apo nga mërgata. I mbetet që ose Shërbimi i Votuesve të veprojë qysh ka vepruar deri tash se asnjëherë nuk kemi marrë vendim për këto vota. Është shërbimi votues i cili e zbaton këtë aktgjykim, i vlerëson votat nga mërgata ashtu siç janë dhe pastaj i numëron”, tha ajo.

Po ashtu, në këtë mbledhje KQZ ka marrë vendim për plotësim të vendimit mbi caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2019, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lejon transferimin e fondeve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike, për financimin e aktiviteteve të rregullta të subjekteve politike vetëm deri në datën e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me 6 tetor 2019.

Ky vendim është miratuar me 6 vota për, 1 kundër dhe dy abstenime.

Kundër këtij ka votuar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, që sipas saj partitë nuk kanë të drejtë t’i marrin këto mjete.

Daka: Unë konsideroj që nuk keni të drejtë me i marrë, por gjithsesi

“Kur po vjen tek paratë po pajtoheni krejt...Unë konsideroj që nuk keni të drejtë me i marrë, por gjithsesi”, tha ajo.

Sa i përket kësaj teme, drejtori ekzekutiv i zyrës për regjistrim të PP-ve dhe certifikim Yll Buleshkaj, bëri të ditur se legjislacioni jep formulën që duhet të ndahen në bazë të rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve paraprake, e që sipas tij deri tani nuk ka certifikim të zgjedhjeve të reja, atëherë duhet të vazhdohet me formulën e cila është ekzistuese.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur një mbledhje ku është diskutuar për aktgjykimin e Gjykatës Supreme për numërimin e fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se në bazë të këtij aktgjykimi janë të obliguar të numërojnë fletëvotimet nga diaspora.

"Në bazë të këtij aktgjykimi jemi obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet nga diaspora. E kemi obligimin dhe nuk mendoj që kemi çka të diskutojmë. Na pëlqeu, nuk na pëlqeu do ta zbatojmë", tha ajo.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi tha se me këtë vendim ka ndryshuar ligji për zgjedhje.

"Me këtë vendim ka ndryshuar ligji për zgjedhje. 1 mijë e 700 pako çka do të bëjmë që kanë ardhur me 17 tetor", tha ai.

Anëtari i LDK-së Sami Hamiti, tha se vendimi i Supremes është në kundërshtim me ligjin për zgjedhje.

"Është një vend që është në kundërshtim me ligjin për zgjedhjeve. Me atë logjikë duhet të shikohet mos ka mbetur ndonjë kompani tjetër pa i pru votat. Procesi deri ditën e votimit ka shkuar mirë, tash jemi duke e bastardua", tha ai.

Anëtari i VV-së, Adnan Rrustemi, tha se vendimi është i drejtë.

"Aktgjykimi nuk mund të diskutohet, unë konsideroj që është një vendim i drejtë. Në rastin konkret, aktgjykimi flet për principin e pranueshmërinë e fletëvotimeve me vota.

Në këtë mbledhje, KQZ-së ka marrë vendim për plotësim të vendimit 195/2019 mbi caktimin e lartësisë së mjeteve nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2019, ku lejohet transferimi i fondeve për mbështetjen e subjekteve politike, për financimin e aktiviteteve të rregullta të subjekteve politike vetëm deri në datën e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 6 tetor 2019.

Daka pas vendimit të Gjykatës Supreme për votat e diasporës: Jemi të obliguar t’i numërojmë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme duhet numëruar mbi 4 mijë fletëvotime të ardhura nga diaspora.

Kryetarja Daka në fillim të mbledhjes së KQZ-së, tha se nuk do ta komentoi aktgjykimin dhe se do ra respektojë atë.

“Kemi një aktgjykim të Gjykatës Supreme, dhe në bazë të këtij aktgjykimi  jemi të obliguar t’i numërojmë fletëvotimet e votuesve jashtë Kosovës. Mendoj që nuk ka nevojë të komentohet ky aktgjykim, e kemi obligimin dhe nuk besoj që kemi me shtu diçka rreth kësaj”, tha ajo.

Daka tha se kanë detyrim ligjor ta zbatojnë ashtu siç është.

Mbledhja e KQZ-së (Drejtpërdrejt)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat