Konfirmohet takimi Thaçi-Palmer

Aktuale

Konfirmohet takimi Thaçi-Palmer

Më: 31 tetor 2019 Në ora: 20:19
Arkiv

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret nesër në takim Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Lajmi është bërë i ditur nga Kabineti i Presidentit, sipas të cilit takimi do të mbahet në ora 13.30.  

Përfaqësuesi Special i SHBA-së  për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer nesër gjatë ditës do të mbajë një fjalim para studentëve dhe  shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Vizita e Palmer në Kosovë ishte paralajmëruar më herët, por nuk ishte caktuar data e vizitës.

Kjo vizitë në vendin tonë vjen pas asaj që Palmer bëri ditë më parë në Maqedoninë Veriore.

Palmer më herët kishte thënë se qëllimi i tij është që të kthejë Beogradin dhe Prishtinën në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje.    

Ai po ashtu kishte treguar se e pranoi postin pasi mendon se mund të arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, e cila sipas tij, do t’i hapte rrugën drejt Evropës Serbisë dhe Kosovës.

Palmer ka shfaqur shpresën se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të pranonte të pezullojë tarifat për të lejuar që dialogu të rifillojë, dhe se Beogradi do të ndalë përpjekjet e tij që vendet e tjera të heqin njohjen e Kosovës.

Ndryshe, bisedimet janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës vendosi tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe. Si kundërpërgjigje, Beogradi kushtëzoi rifillimin e bisedimeve me heqjen e taksës.

SHBA dhe BE i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pezullojë taksat për t’u hapur rrugën bisedimeve, gjë e cila është refuzuar nga Prishtina zyrtare, duke thënë se ato do të hiqen vetëm kur Serbia të njohë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat