Përfundon takimi Thaçi-Palmer, presidenti: Kosova është në rrugë të drejtë

Aktuale

Përfundon takimi Thaçi-Palmer, presidenti: Kosova është në rrugë të drejtë

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 13:37
Thaçi dhe Palmer

(E plotësuar) - Ka përfunduar takimit ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Pas këtij takimi, Thaçi deklaroi se kanë diskutuar për zhvillimin e fundit në Kosovë, me theks të veçantë pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe për nevojën e shpejtë të themelimit të institucioneve të Kosovës.

Kreu i shtetit shtoi se institucionet e dala nga zgjedhjet e fundit do të kenë prioritet zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe angazhimin për të ardhmen euroatlantike të vendit.

“Diskutuam për zhvillimin e fundit në Kosovë, me theks të veçantë pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit për nevojën e shpejtë të themelimit të institucioneve të Republikës së Kosovës që do të angazhoheshin në një prioritet shtesë për zhvillimin ekonomik për rend dhe ligj, për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për reformat demokratike dhe në të njëjtën kohë për një angazhim maksimal për të gjitha zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një të ardhme të sigurte për të qenë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Kosova është në rrugë të drejtë. Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së”, deklaroi Thaçi.

***

Ka përfunduar takimi mes presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe të dërguarit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Takimi mes Thaçit dhe Palmer është zhvilluar në Presidencën e Kosovës.

Paraprakisht, Matthew Palmer i cili po qëndron për vizitë disaditore në Kosovë, ka takuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, kreun e LDK-së, Isa Mustafa si dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin.

Palmer ndërkaq sot nuk do të takohet me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin pasi që i njejti momentalisht është bërë e ditur se gjendet në një vizitë zyrtare jashtë shtetit.

Ndryshe, vizita e Palmerit në Kosovë ishte paralajmëruar më herët, por nuk ishte caktuar data e vizitës.

Para ardhjes në Kosovë, Palmeri qëndroi për vizitë në Maqedoninë e Veriut.

Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-së, kohë më parë u emërua si Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

Nis takimi mes Thaçit dhe Palmerit

Ka filluar takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Para takimit me Thaçit, Palmer është takuar me liderin e LDK-së, Isa Mustafa dhe nënkryetaren, Vjosa Osmani.

Ndërkaq, sipas agjendës së tij, në orën 15;00, përfaqësuesi special i SHBA-ve për Ballkanin në Bibliotekën Kombëtare pritet të flas para studentëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat