Kosovës i mungon një marrëveshje e normalizimit me Serbinë

Aktuale

Kosovës i mungon një marrëveshje e normalizimit me Serbinë

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 15:36
Hashim Thaçi dhe Matthew Palmer

Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit Matthew Palmer tha në Prishtinë, se SHBA e inkurajon Kosovën që t’i qaset seriozisht dialogut për një marrëveshje gjithpërfshirëse me Serbinë.

Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit që njëherësh është edhe i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha në Prishtinë, se SHBA presin që qeveria e re e Kosovës t'i vazhdojë negociatat me Serbinë, duke bërë të ditur se ky është edhe prioritet strategjik i SHBA-së. Këtë deklaratë Palmer e bëri gjatë një vizite që po realizon në Kosovë, ku takoi Presidentin e Kosovës dhe përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërinë civile. 

"Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ofron mundësi më të mëdha ekonomike, sepse në këtë situatë që jeni bizneset ngurrojnë të investojnë këtu, sepse ekziston një perceptim se këtu është vend i rrezikshëm dhe ka një konflikt. Kur bizneset mund të lëvizin lirshëm në atë vend, atëherë ka prosperitet”, tha Mathew Palmer, duke aluduar në heqjen e taksës ndaj produketeve serbe, por, njëkohësisht duke ritheksuar, se edhe Serbia nga ana e saj, duhet të ndalojë siç tha "stimulimet për bllokimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata”.

Palmer: Zgjedhjet treguan demokracinë në Kosovë

"Nganjëherë ka pasur mungesë të transparencës në dialog. Shqetësimi dhe dëshira e disave është që SHBA-të të përpiqen të ofrojnë një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Serbia duhet të ndalojë stimulimet për bllokimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe nxitjen e serbëve të Kosovës. Jemi të gatshëm për të punuar me udhëheqësit e të dy vendeve”, tha Mathew Palmer.

Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, që njëherësh është edhe i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjatë një bashkëbisedimi me studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, foli edhe për zgjedhjet e 6 tetorit që nxorrën fituese dy partitë më të mëdha opozitare, lëvizjen Vetëvendosja dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës LDK. Palmer tha se zgjedhjet e 6 tetorit treguan demokracinë në Kosovë.

"Opinioni publik votoi për ndryshim dhe edhe SHBA-të e përqafojnë këtë. Sytë e botës do të shikojnë se çfarë mund të bëjë qeveria e re e Kosovës. Kosovës i duhet një koalicion që përfaqëson popullin e Kosovës. SHBA-të kanë qenë të qarta, shpresojmë që do të shohim adresim të çështjeve të rëndësishme. Qeveria e re kur të formohet mundet dhe duhet të ngjallë negociatat. Nuk mund të ketë asnjë integrim, nëse nuk ka dialog me Serbinë”, tha amerikani Mathew Palmer, duke siguruar qytetarët se "shtetësia e Kosovës është e pakthyeshme”.

"Qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë se partneritet me SHBA-të, ju e meritoni botën, BE-në dhe OKB-në. Jo të qëndroni prapa SHBA-së, por krahë për krah dhe kjo mund të arrihet me dialog. Serbët e Kosovës prej vitit 2013 kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës me ligje të po këtij vendi”, tha Mathew Palmer.

Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, në Prishtinë erdhi pas një vizite që kishte në Maqedoninë e Veriut. Në Prishtinë ai takoi të gjithë udhëheqëisit e partive politike parlamentare dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit, pas takimit tha se "Kosova nuk mund të mbetet e izoluar”.

Sfida e parë: Përballja me dialogun

"Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e reformave për rend dhe ligj, për forcimin e të ardhmes euroatlantike, për reformat demokratike dhe do të angazhohet maksimalisht për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila forcon paqen jo vetëm brenda dy vendeve, por në tërë Ballkanin Perëndimor”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Image
Hashim Thaçi dhe Matthew Palmer

Dialogu Kosovë-Serbi u ndërpre në nëntorin e vitit të shkuar, kur qeveria e Kosovës vendosi taksën 100% ndaj produkteve serbe si shenjë pakënaqësie ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë kundër njohjeve të Kosovës. Kosova në këtë fazë ndodhet para krijimit të instucioneve të reja që do ta dalin nga rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sfida e parë që e pret qeverinë e re të Kosovës është përballja në dialog me Serbinë që me ngulm po kërkohet nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë nga SHBA. Albin Kurti, që pritet të jetë kryeministër i Kosovës, gjatë fushatës parazgjedhore vazhdimisht ka deklaruar se ai si kryeministër,  do ta udhëheqë dialogun me Serbinë dhe jo Presidenti i Kosovës, dhe ka paralajmëruar rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash në dialogun Kosovë-Serbi./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat