Molliqaj: Albini si Kryeministër e ka obligim ta sqarojë çka ka ndodhur me Deharin - Bota Sot
Molliqaj: Albini si Kryeministër e ka obligim ta sqarojë çka ka ndodhur me Deharin

Aktuale

Molliqaj: Albini si Kryeministër e ka obligim ta sqarojë çka ka ndodhur me Deharin

Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 12:03
Albin Kurti dhe Dardan Molliqaj

Në paraqitjen e parë pas zgjedhjeve, Dardan Molliqaj, i kishte kërkuar publikisht Albin Kurtit të sqarojë gjithçka që ka ndodhur me vdekjen e Astrit Deharit ish-anëtar i Vetëvendosjes i cili ka vdekur para tri vitesh në burgun e Prizrenit.

Molliqaj kishte thënë më 15 tetor se Albin Kurti si Kryeministër e ka për obligim ndaj Familjes Dehari dhe shoqërisë të shpjegojë se çka ka ndodhur me Deharin i cili kishte qenë i dyshuar për sulm terrorist ndaj objektit të Parlamentit të Kosovës.

“Tash, Kurti bëhet Kryeministër. Duhet t’i implementojë premtimet. Prej zbardhjes së rastit të Astrit Deharit. S’ka kuptim me folë më nëpër media për këtë punë. Tash, duhet me na tregu çka ka ndodhur në krejt këtë proces. E ka për obligim ndaj krejt neve, ndaj Astritit, ndaj Familjes. Krejtve duhet me na tregu çka ka ndodh”, ka thënë Molliqaj, në një debat në RTV Dukagjini nëntë ditë para se të publikohej ekspertiza zvicerane për vdekjen e Astrit Deharit.

“Nuk bën të sillesh si LDK’ja: Na kanë vra, na kanë vra. E, kur shkojke në Qeveri s’bënte asgjë”, kishte deklaruar ai.

Ekspertiza e ardhur nga Lozana kërkon një hetim të ri për të vërtetuan nëse në vdekjen e Deharit ka gisht edhe një person i tretë. Bazuar ne faktet e analizuara, mjekët zviceranë kanë thënë se është pak e mundshme që Dehari të ketë kryer vetëvrasje pavarësisht se s’e përjashtojnë krejtësisht as këtë version.

Avokati i Familjes Dehari, Tomë Gashi, e shtyrë përpara versionin e Partisë duke interpretuar ekspertizën “se anëtari i VV’së është vrarë në burg”. Madje, në një postim në FB, Gashi kishte shkruar se “50 milionë persona e kanë para videon me të cilin vërtetohen pohimet e tij për vrasjen e Astritit”.

Në reagimin e Kurtit në Fb pas publikimit të ekspertizës kërkohet zbardhja e rastit Dehari.

“Sepse, duhen hetuar njerëzit përgjegjës, çka kanë bërë, si e kanë bërë dhe çka nuk kanë bërë”, kishte shkruar Kurti.

Dardan Molliqaj dhe Albin Kurti ishin udhëheqës të Lëvizjes Vetëvendosje kur Dehari kishte vdekur në burg.

Madje, Molliqaj në cilësinë e Sekretarit Organizativ kishte pasur takim i fundit me Deharin.

Në reagimin në FB pas publikimit të ekspertizës, ish-Sekretari i VV’së kishte kërkuar të zbardhen të gjitha hollësitë e rastit Dehari. Askund s’e ka përmendur se anëtari i VV’së është vrarë.

 “Edhe sot, pas raportit të institutit zviceran, ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me urgjencë. Një gjë e papranueshme është që humbja e Astritit të mbetet e mjegulluar. Rasti duhet të ekzaminohet deri në hollësinë e fundit!”, kishte shkruar Molliqaj.

Raporti i ardhur nga Zvicra, i publikuar më 24 tetor, nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën.

“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë E180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Dehari Astrit. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasje e z. Dehari Astrit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në konkluzionin e Ekspertizës së ardhur nga Zvicra.

Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm terrorist mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes. Ka vdekur 78 ditë pasi ishte arrestuar derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat