Stafi i dy ministrive me protestë kundërshtojnë largimin nga objekti ku punojnë

Aktuale

Stafi i dy ministrive me protestë kundërshtojnë largimin nga objekti ku punojnë

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 11:55
Pamje nga ngjarja

Stafi civil i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe ata të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, edhe sot kanë protestuar kundër vendimit për zhvendosjen e Presidencës në ndërtesën ku janë të vendosur këto dy ministri.

Madje ata kanë nënshkruar edhe peticion kundër këtij vendimi i cili do t’i dorëzohet Ministrisë së Administratës Publike, zyrës së kryeministrit dhe zyrës së presidencës.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi u shpreh se zbatimi i këtij vendimi vështirëson funksionimin normal të punës së këtyre dy ministrive.

Ai tha se kjo ndërtesë nuk i plotëson kushtet për zhvendosje të Presidencës.

Bislimi: Objekti nuk ofron kushte për zhvendosjen e Presidencës

“E para është që implikimet financiare të një vendimmarrje të tillë janë tejet të larta, janë milionëshe, dhjetëra milionëshe dhe kushtet në të cilat do të vendoset ministria janë të papranueshme në radhë të parë sepse është objekt privat, dhe në radhë të dytë do ketë një vendosje kolektive të departamenteve që e vështirëson dhe e pamundëson jashtëzakonisht shumë funksionimin normal të punës së dy ministrive. E dyta çështje është se kushtet e lokacionit ku gjendet kjo ndërtesë siç mund ta shihni edhe ju nuk lejojnë funksionim dhe zhvillim të aktiviteteve protokollare të nivelit të Presidencës së Kosovës për faktin se objekti gjendet mu në mes të pronave private në katër anët në largësi deri në 15 metra që me çdo standard, qoftë së sigurisë dhe qoftë protokollare një gjë e tillë nuk mund të lejohet”, tha ai.

Sipas tij, i gjithë procesi për zhvendosjen e Presidencës në objektin e këtyre dy ministrive është bërë në mungesë të transparencës dhe askush nuk ka marrë opinionin e tyre për këtë veprim.

Ai paralajmëroi çdo ditë protesta deri të gjendjet një zgjidhje afatgjate për akomodim të të dyja palëve.

Bislimi: Do vazhdojmë me protesta derisa të gjendet një zgjidhje afatgjate

“Ne si staf i Ministrisë së Kulturës ,Rinisë dhe Sportit do të vazhdojmë kundërshtimin e një procesi të tillë deri në momentin e zgjidhjes së këtij problemi. Do të vazhdojmë protestat për çdo ditë nga ora 10:00 nga 15 minuta për të sensibilizuar opinionin dhe vendimmarrësit që menaxhojnë me aspekte të ndryshme të shtetit që të reagojmë që të ulemi dhe të diskutojmë për të gjetur një zgjidhje e cila do të akomodonte kërkesat edhe të Presidencës së Kosovës, por edhe të dy ministrive. Ne mendojmë që duhet të përfundoi koha kur kontrabandohen vendimmarrjet shpejt e shpejt pa transparencë, pa i vlerësuar opinionet e njerëzve që prekën nga vendimmarrja”, tha Bislimi.

Bislimi ndër të tjerash tha se zgjidhja më e mirë do ishte akomodimi në ndërtesa publike, derisa e vlerëson të papranueshëm investimet deri në 1 milion e 100 mijë eurosh në vit për pagesën e qeras.

Bislimi: Zgjidhja më e mirë është zhvendosja në objekte publike

 

“Ne mendojmë që hapësirat duhet të zgjidhen duke i akomoduar ndërtesat publike, ne mendojmë që paratë e qytetarëve të Kosovës nuk duhet të shpenzohen duke pagur qera, mendojmë që kjo nuk është e nevojshme sepse për një periudhë  një vjeçare shpenzimet që do ndodhin sipas kësaj vendimmarrje ne besojmë që do të mund të ndërtoheshin objekte të reja që do mbesnin pronë e shtetit,  që do ofronin kushte dhe akomodim afatgjatë për të gjitha institucione. Është e palogjikshme dhe e papranueshme që të investohen 1 milion e 100 mijë euro në vit për  pagesën e dy qerave në objekte private në kohën kur ato fonde do mund të ndërtoheshin për objekte të reja”,u shpreh përfaqësuesi i punëtorëve të ministrisë së Kulturës.

Kujtojmë që stafi civil i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe asaj të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes protestë edhe gjatë ditës së djeshme e kanë kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e presidencës në objektin e këtyre dy ministrive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat