Ish mjeku i UÇK-së për rastin e Astrit Deharit: Të mos i hedhim zjarrit benzinë!

Aktuale

Ish mjeku i UÇK-së për rastin e Astrit Deharit: Të mos i hedhim zjarrit benzinë!

Nga: A.M. Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 20:25
Astrit Dehari

Publicisiti dhe ish mjeku i UÇK-së, Liri Loshi, ka ripublikuar një shkrim të tij, të cilin e kishte shkruar pak ditë pas vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Deharit.

Ai për fjalët që i kishte shkruar para tri vite të cilat i ka ripublikuar tani në profilin e tij në Facebook, ka thënë se “nuk di çfarë do t’i ndërroja sot”.

Në shkrimin thuhen fjalë si “Familja Dehari ka kërkuar një hetim të pavarur në hollësi të rrethanave në të cilat u shua jeta e birit të tyre. Ky hetim duhet të mbështetet pa rezervë, sepse hetimi i drejtë nuk është vetëm interes familjar por edhe publik”.  

Postimi i plotë:

Vdekja tragjike e Astrit Deharit ka tronditur familjen e Tij dhe tërë Kosovën. Familja është ajo që bart tërë jetën gurin e vënë të varri i Tij. Ne të tjerët nuk jemi. Prandaj, ta ndalim pak hovin e gjuhës së zjarrit. Kjo familje, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka nevojë për mbështetjen tonë morale. Familja Dehari ka kërkuar një hetim të pavarur në hollësi të rrethanave në të cilat u shua jeta e birit të tyre. Ky hetim duhet të mbështetet pa rezervë, sepse hetimi i drejtë nuk është vetëm interes familjar por edhe publik. Normalisht se të gjithe ne duhet të reflektojmë dhe të nxjerrim mësimet tona nga situatat e tilla të rënda, të cilat nuk vijnë ashtu kot, nuk pikin prej qiellit, por janë të lidhura direkt prej veprimeve tona. Nëse ne nuk nxjerrim mësim nga dështimet, do të kalojmë nga dështimi në dështim dhe kurrë nuk do të arrijmë ta bëjmë një shoqëri të konsoliduar.

Të mos i hedhim zjarrit benzinë! Askush nuk e do një Kosovë ku dominojnë zërat e çjerrë për hakmarrje dhe qerim hesapesh mes vete. Të ndalemi për një çast dhe të kuptojmë se ky është një moment familjar, një moment morti, ku shprehet dhembja jonë dhe simpatia për Astritin dhe familjen e Tij. Ardhmëria e gjeneratave të reja nuk ndërtohet duke marrë hak, por duke ndërtuar rrugën më të mirë të mundshme për to. Ne duhet të tregojmë edhe para botës se Kosova nuk është një komunitet fisesh, ku sot dominon një fis e nesër tjetri, por është një shtet normal që ka forcën dhe dijen për t’u përballë me gjërat më serioze. Nuk është koha për reagime e veprime histerike. Koha është për zgjidhje të urta dhe të qëndrueshme. Zgjidhja nga të cilat përfiton jo vetëm individi, por e tërë shoqëria.

Trupi i Tij i njomë u preftë në paqe! Shpirti i Tij i madh u bëftë dritë Kosove! Përjetsisht!

PS. Kështu paskam shkruar për Astrit Deharin sot tre vjet. Nuk di çfarë do t’i ndërroja sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat