“Pesë pare për Specialen s’i jap”, çfarë thoshte Kadri Veseli për Gjykatën Speciale

Aktuale

“Pesë pare për Specialen s’i jap”, çfarë thoshte Kadri Veseli për Gjykatën Speciale

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 16:37
Kadri Veseli

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli do të paraqitet më 4 dhjetor para hetuesve të Speciales për t’u intervistuar.

Ndonëse nuk dihet se në çfarë cilëse, Veseli ftesën e bëri publike sot përmes një konference për media.

Mirëpo, Veseli edhe para ftesës thoshte se as nuk e kishte frikë Specialen.

Në një polemikë që kishte pasur para 9 muajve në Kuvendin e Kosovës me deputeten e LDK-së, Besa Gaxherri, Veseli shprehej në formë popullore se nuk ia ka frikën drejtësisë ndërkombëtare.

“Pesë pare nuk i jap për Gjykatën Speciale”, thoshte Veseli para 9 muajve.

Se Veseli është intervistuar nga Specialja, mediat raportonin edhe para gjashtë muajve, por që lajmeve të tilla dhe vërtetësisë së tyre Veseli u dha fund sot.

Para gjashtë muajve, Veseli thoshte se nuk është “as marre e as kiamet” të thirresh nga Specialja, dhe se ai nuk frikësohet nga askush, përveç nga kombi i tij.

“Nuk është marre, as kiamet. Më vjen keq në qoftëse dikush është shqetësuar për këtë lajm, por më vjen keq edhe për ata që i janë gëzuar këtij lajmi. E kam thënë edhe më parë se askush nuk më frikëson. Vetëm kombi im mund të më gjunjëzojë apo përkrahë”, kishte shkruar Veseli në kohën e këtyre raportimeve.

Veseli si kryetar i Kuvendit, edhe në aktivitetet ditore të tij do ta përmendte institucionin e Gjykatës Speciale.

Në janar të këtij viti, thoshte se Kosova ka përpara një sfidë të pashmangshme para vetes, mirëpo se duhet të tejkalohet.

Ai gjithmonë në deklaratat e tij shprehej i bindur se lufta e UÇK-së, ka qenë e pastër dhe se vërtetësia do të vuloset me Specialen.

“Nuk ka drejtësi ndërkombëtare aty ku synohet të vendoset barazimi në mes agresorit dhe viktimës. Nuk ka drejtësi aty ku tentohet të vendoset barazimi në mes një ushtrie gjenocidale dhe një lëvizje çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet unike në pastërtinë e kauzës dhe luftës së saj. Çdo përpjekje që përmes gjykatave të deformohet karakteri i saj, paraqet një sfidë të madhe për të gjithë ne. Tanimë para nesh kemi një sfidë të pashmangshme, por të tejkalueshme. Sfida e Gjykatës Speciale është një betejë që duhet ta fitojmë, sepse e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë”, ishte deklarata tjetër e Veselit.

Veseli për një kohë kishte shërbyer si shef i Intelegjencës së UÇK-së, funksion që do ta kryente edhe për disa vite pas luftës.

Më vonë, Veseli ishte  zgjedhur kryetar i PDK-së, ndërkaq pasi kjo parti fitoi zgjedhjet, ai kishte marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat