Përkujtohet jeta dhe vepra e profesor Afrim Vokshit

Aktuale

Përkujtohet jeta dhe vepra e profesor Afrim Vokshit

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 18:32
Afrim Vokshi

Në Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, familjarë, kolegë, miq e studentë, me mbledhje komemorative kanë kujtuar jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë, prof. dr. Afrim Vokshi.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, tha se me ndarjen nga jeta të profesor Vokshit, universiteti nuk humbi vetëm një profesor, por humbi një studiues të pashembullt dhe një inxhinier të ndërtimtarisë, punën e të cilit do e kujtojmë tërë jetën.

Përjetimet e tyre së bashku me profesorin Vokshi, para të pranishmëve në këtë komemoracion, i ndanë edhe kolegët e tij, profesorët Ali Muriqi dhe Murat Vranica dhe dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, prof. dr. Abdullah Zejnullahu.

“Të gjithë ne që patëm fatin të ishim studentë të profesorit, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij, e nderojmë me përkulje punën dhe angazhimin e tij në fushën e arsimit, duke e çmuar lartë përkushtimin e tij në edukimin e gjeneratave të reja”, tha Zejnullahu.

Kolegët dhe studentët e pranishëm në këtë mbledhje komemorative i përshëndeti edhe përfaqësuesi i familjes Vokshi, i cili mes lotësh i falënderoi ata për nderimin që i bënë personalitetit të tij.

Afrim Vokshi ishte inxhinier i ndërtimtarisë dhe profesor universitar. Që nga viti 1969 u bë pjesë e Universitetit të Prishtinës si ligjërues në Fakultetin Teknik, ku mbrojti edhe disertacionin e doktoratës. Në vitin 1986, profesor Vokshi u zgjodh profesor ordinar, ku shërbeu në mësimdhënie e kërkime shkencore për dekada.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat