Rushiti: Ardhja në Kosovë e laureatit për paqe Denis Mukwege, moment historik

Aktuale

Rushiti: Ardhja në Kosovë e laureatit për paqe Denis Mukwege, moment historik

Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 16:19
Feride Rushiti

20 vjet më parë ai ishte i vetmi gjinekolog i njohur nga Kongo, ku më pas themeloi edhe spitalin e vetëm në vend për të trajtuar viktimat e përdhunimit, si dhe dëmin që shkaktohej nga dhuna. Ky spital më pas u shndërrua si strehë për mijëra viktima seksuale nga rebelët Hutu të Ruandës dhe banda të tjera të armatosura.

Gjinekologu Denis Mukwege zgjeroi aktivitetin në mbështetje të të mbijetuarve, në ndihmë mjekësore, duke avokuar për të drejtat e viktimave  dhe nismave vetëdijësuese në nivel global.

E pikërisht për këtë vitin e kaluar së bashku me aktivisten Jezide, Nadia Murad, morën çmimin “Nobel për Paqe” për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si mjet lufte në konflikte të armatosura.

Për herë të parë, laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Denis Mukwege ka ardhur dje në Kosovë, së bashku me dy të mbijetuara të dhunës seksuale, njëra nga Sudani, e tjetra nga Iraku, për të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Ardhja e laureatit për Paqe, Denis Mukwege, për drejtoreshën e kësaj qendre, Feride Rushiti nënkupton përmbylljen e dy dekadave punë për rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Rushiti: Ardhja e tij në Kosovë paraqet përmbylljen e aktivisteve gjatë këtyre dy muajve (Video) “Kjo konferencë dhe ardhja e Mukweges në Kosovë paraqet përmbylljen e aktiviteteve gjatë muajit tetor dhe nëntor. Dhe ardhja e tij nuk është e rastësishme për faktin se QKRMT është anëtare e Sema Network, i cili përbëhet prej 20 shteteve, të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë konflikteve apo luftërave, apo janë duke përjetuar ende. Ne që nga viti 2017 jemi munduar t’i ndajmë praktikat, sfidat, vështirësitë dhe të arriturat apo progreset që Kosova ka pasur në këtë fushë”, thotë Rushiti.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Mukwege për së afërmi do të njihet me praktikat e reperacionit dhe do të bashkëbisedojë me të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

Së bashku me to, ai sot ka vizituar edhe monumentin “Heroina” në Prishtinë, e më pas do të vizitojnë edhe Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale.

E ardhja e tij në Kosovë për Feride Rushitin paraqet moment historik për Kosovën.

Rushiti: Me marrjen e çmimit nga Mukwege, agjenda e viktimave të dhunës seksuale botërisht ka marrë dimension tjetër (Video) “Ardhja e tij paraqet një moment historik për Kosovën për faktin që një laureat i karakterit nobel dhe të tillë, është një person i cili gëzon një reputacion të jashtëzakonshëm. Ky është nga ata nobelistë që ngado që shkon njerëzit i përulen, lista për ta takuar është shumë e gjatë dhe eksperienca me të cilën ky e bart, ka punuar në Kongo duke pasur në praktikën e tij edhe foshnje gjashtë mujorshe i ka reformuar, në momentin kur ato janë dhunuar shtazërisht nga grupe të ndryshme në Kongo, flet që ky është një humanist i madh, një profesionist i madh, një person që ka bërë shumë për të mbijetuarat e dhunës seksuale kudo në botë. Me marrjen e çmimit Nobel për Paqe, agjenda për viktimat e dhunës seksuale botërisht ka marrë dimension tjetër, ka filluar të trajtohet prej instancave më të larta ndërkombëtare, derisa deri në vitin e kaluar ka qenë shumë e vështirë të flitet ndërkombëtarisht”, shton Rushit i.

Që nga viti 1998, Mukwege dhe stafi i tij kishin kryer ndërhyrje kirurgjike në më shumë se 20,000 gra dhe fëmijë.

Ai  do të jetë folësi kryesor në konferencën që do të organizohet nesër në 20 vjetorin e themelimit të QKRMT-së. Rushiti thotë se kanë synuar të masivizojnë sa më shumë ardhjen e tij në Kosovë, por një e gjë e tillë nuk është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e institucioneve.

“Ne kemi kontaktuar presidenten Jahjaga, presidentin aktual, zyrën e kryeministrit dhe tre liderët e partive më të mëdha në Kosovë për t’iu dhënë mundësi që të takohen dhe të bashkëbisedojë, dhe ideja ka qenë që përmes mesazhit që do ta jep nobelisti, natyrisht që do të vazhdojë ende agjenda e të mbijetuarve të dhunës seksuale të jetë pjesë e institucioneve edhe aktuale, por edhe të reja që do të krijohen. Mirëpo, nga gjithë institucionet përgjigje kemi marrë vetëm nga Albin Kurti, dhe nesër pasdite do të ketë një takim të shkurtër me liderin e LVV-së, për të adresuar çështjet me të cilat i merr paraprakisht Mukwege në takim me viktimat, por për të parë se si Kosova do të ballafaqohet me këtë plagë të luftës”, tregon ajo.

Derisa po bëhen dy dekada nga lufta e fundit në Kosovë, Rushiti thekson se viktimat e dhunës seksuale po ballafaqohen ende me padrejtësi.

“Ende ka shumë stigmë, shumë paragjykime shoqërore, dhe shumë gra e vajza fatkeqësisht edhe burra të cilat e kanë përjetuar këtë krim nuk e kanë guximin që të përfitojnë nga institucionet tashmë që u kanë ndarë një pension personal. Prandaj duhet të vazhdojmë ende ta adresojmë stigmën. Përtej kësaj mendojmë që reperacioni si mjet apo përkrahje institucionale e cila ju ofrohet është e pamjaftueshme për të arritur që të gëzojnë si duhet këtë përkrahje, realisht personat që kanë përjetuar dhunë seksuale duhet të rehabilitohen nga aspekti psikologjik, shëndetësor e social. Në mënyrë që të gëzojnë atë mundësi që po ju ofron shteti. Mirëpo shqetësim kryesor dhe mision në të ardhmen ngelet qasja në drejtësi, për faktin se 20 vjet pas luftës, mund të themi që drejtësia është vonuar”, deklaron drejtoresha e QKRMT-së.

Derisa ende askush nuk është dënuar për krimet që janë bërë ndaj 20 mijë viktimave të dhunës seksuale, shumë nga to rrëfejnë për tmerrin që kanë përjetuar aso kohe.

Në tetor të vitit të kaluar, Vasfije Krasniqi-Goodman ka thyer një tabu në shoqërinë kosovare pasi është bërë gruaja e parë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, që ka rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar nga forcat policore serbe në vitin 1999.

Ndërsa, në muajin e kaluar, një tjetër e mbijetuar, Shyhrete Tahiri Sylejmani, ka dorëzuar kallëzim  penal në Prokurorinë Speciale për Krime të Luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat