Nuk u bë deputet, por Kurteshi beson se koalicioni VV-LDK do të qeverisë më i mirë se PAN-i

Aktuale

Nuk u bë deputet, por Kurteshi beson se koalicioni VV-LDK do të qeverisë më i mirë se PAN-i

Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 16:55
Ismajl Kurteshi

Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re.

Ismajl Kurteshi, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit ka arritur që të marrë vetëm 6 mijë e 539 vota.

Me votat që ka marrë, Kurteshi nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re.

Në një prononcim Kurteshi ka thënë se e vlerëson vullnetin e qytetarëve dhe se pavarësisht se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit, ai shpreson që koalicioni Vetëvendosje-LDK do të jetë më i mirë se koalicioni i qeverisë në largim.

“Së pari dëshiroj të them se unë jam shumë i kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, po mendoj për zgjedhjet për subjektet politike. Besoj që këtë herë qytetarët kanë votuar drejtë, kanë votuar për ndryshimin e nevojshëm për vendin sepse koalicioni Vetëvendosje-LDK mendoj se do të qeverisë shumë më mirë se koalicioni që po e përfundon qeverisjen”, u shpreh Kurteshi.

Ai po ashtu ka thënë se është falënderues ndaj të gjithë qytetarëve që e kanë votuar.

Kurteshi po ashtu ka thënë se qoftë me të apo pa të, deputetët e Vetëvendosjes siç tha ai, do t’i kryejnë punët të cilat ju takojnë në punën më të mirë të mundshme.

“Në këtë pikëpamje e respektoj deri në fund vullnetin e qytetarëve dhe e njëjta gjë vlen edhe për mua si kandidat. Unë kam qenë kandidat besoj shumë në vlerësimin e votuesve ata kanë votuar sipas disponimit të tyre dhe bazuar në disponimin e tyre unë jam i pozicionuar aty ku jam, pra nuk jam në mesin e 32 më të votuarve në Lëvizjen Vetëvendosje. Unë shpresoj që me mua ose pa mua në Kuvendin e Kosovës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje do t’i kryejnë punët të cilat ju takojnë në punën më të mirë të mundshme”, deklaroi ai.

Kurteshi ka thënë se ai vazhdon të jetë anëtarë i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes si dhe anëtarë i Kryesisë së degës në Gjilan.

Sipas tij, këto dy pozita do t’i mbajë, por që sipas tij, nëse edhe rezultati i zgjedhjeve ndikon në këto pozita, ai do ta respektoj qëndrimin e Vetëvendosjes njësoj sikur të qytetarëve.

“Unë jam anëtarë i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, organit më të lartë vendimmarrës dhe jam anëtarë i kryesisë në Gjilan, do me thënë i kam dy pozita që nuk kanë të bëjnë me udhëheqje. Këto dy pozita nuk mendoj që ndikojnë në zgjedhje, por edhe nëse ndikojnë natyrisht që qëndrimet e Lëvizjes do t’i respektoj ashtu siç e respektoj edhe disponimin e qytetarëve karshi kandidatëve njëri nga të cilët kam qenë edhe unë”, ka thënë Kurteshi.

Theksojmë se në bazë të rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësohet nga 32 deputetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat