MPJ-ja i reagon Daçiqit që tha se Gana e ka çnjohur Kosovën

Aktuale

MPJ-ja i reagon Daçiqit që tha se Gana e ka çnjohur Kosovën

Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 12:28
Behgjet Pacolli

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar lidhur me pretendimet e shtetit serb se Republika e Ganës e ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.

Këshilltari i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, ka thënë se ky është lajm i rrejshëm e pjesë e propagandës serbe.

“Është lajm i rrejshëm i radhës. Çdo anëtar i OKB-së mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Shumica e vendeve anëtare të OKB kanë votuar në vitin 2010 rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB që filloi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është një propagandë e vazhdueshme dhe një fushatë e ndyrë nga Ivica Daçiq që është e kotë të humbësh kohën me të”, tha Zyberaj.

Këshilltari i Pacollit tutje ka thënë se Gana ka ambasador të akredituar në Kosovë.

“Gana ka një ambasadore të akredituar në Kosovë. Gana ka një konsull nderi në Kosovë i cili i përfaqëson ata. Kohën e fundit ministri Pacolli u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Ganës në OKB në Nju-Jork”, shtoi ai.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, po pretendon se ka arritur edhe një tjetër sukses për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës.

Ai për televizionin serb “Prva” ka thënë se Republika e Ganës ka tërhequr njohjen e pavarësisë.

Sipas pretendimeve të tij, Gana është shteti i 16-të që ka tërhequr njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kujtojmë se Daçiq kishte deklaruar se deri në fund të këtij viti edhe tri shtete do ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat