Llogaritë e votave të ish-shefave të kuletës së shtetit

Aktuale

Llogaritë e votave të ish-shefave të kuletës së shtetit

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 07:18
Kuvendi i Kosoves

Me shpalljen e rezultateve përfundimtare, tashmë e kanë siguruar nga një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë siguruar numrin e mjaftueshëm të votave që të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë.

Edhe pse vijnë nga subjekte të ndryshme politike, ajo që i bën bashkë këta dy deputetë është fakti se të dy u kujdesën për “kuletën” e shtetit.

Avdullah Hoti ishte ministër i Financave në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga LDK me në krye Isa Mustafën dhe në anën tjetër Bedri Hamza i cili u emërua ministër i kësaj ministrie nga Qeveria Haradinaj e cila ishte formuar nga koalicioni PAN. Hamza nuk e kishte për herë të parë këtë pozitë.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me 6 tetor, të cilat erdhën si rezultat i dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të dy ish-ministrat iu futën garës

Avdullah Hoti i LDK-së, në llogarinë e tij të kandidaturës arriti t’i grumbulloj gjithsej 26 mijë e 155 vota. Në raport me oponentin e tij politik Bedri Hamza nga PDK, Hoti arriti t’i mbledh gjithsej 10 mijë e 684 vota më shumë.

Bedri Hamza arriti t’i grumbulloi gjithsej 15 mijë e 471 vota.

Në raport me votat e përgjithshme të grumbulluara të subjekteve politike nga vijnë tashmë deputetët  Avdullah Hoti dhe Bedri Hamza, pjesëmarrja e tyre rezulton të jetë rreth 9 përqind për Bedri Hamzën dhe 13 përqind për Avdullah Hotin./kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat