Elezaj: KQZ-ja dhe PZAP-i janë të kapura nga SHIK-u

Aktuale

Elezaj: KQZ-ja dhe PZAP-i janë të kapura nga SHIK-u

Nga: A.J Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 14:00
Foto ilustrim

Mos certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe mundësia e kalimit të pragut zgjedhor nga Nisma-AKR ka ngjallur reagime të shumta dhe kritika të ashpra ndaj PZAP dhe KQZ-së si institucione kryesore për certifikimin e zgjedhjeve.

Publicisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se KQZ dhe PZAP janë të kapura nga SHIK-u. “Për fat të keq, KQZ-ja dhe PZAP-i janë të kapura nga SHIK-u dhe segmente të qeverisë PAN në ikje, sepse kjo faqe e zezë që po ndodhë nga ana e KQZ-së duke e zhagitur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve me shumë se një muaj, askund në botë nuk ndodhë, që me votën e sovranit të manipulohet në mënyrë kaq të përdalë dhe antiligjore”, ka thënë ai.

Elezaj nder të tjera ka shpjeguar se qëllimi kryesor i gjithë këtij cirkusi me rinumërimin e votave 530 vendvotime, refuzimi në fillim i votave të diasporës, pastaj herë pranimi i tyre me vendim të gjykatës supreme, herë mospranimi i votave të ardhura nga Serbia, e tash prapë anulimi i tyre (1600 votave), shpallja e rezultateve përfundimtare si dhe zhagitja e numërimit të votave mbi një muaj, etj., flet qartë për një maskaradë të qëllimshme dhe të pa parë ndonjëherë në vendet demokratike, fund e krye në dëm të Kosovës.

“Kjo lojë kaq e paskrupullt dhe antiligjore e KQZ-së me votat e qytetarëve të Kosovës, përveç se nivelin shtetëror të Kosovës e ka zbritur në një “Banana Republike” para BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar, në fakt imazhin e Kosovës e ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, sepse kjo dëshmon në fakt se shqiptarët nuk janë të zotët të organizojnë si duhet dhe mbajnë zgjedhje demokratike si shtet i pavarur nga të tjerët”, ka thënë për “Bota sot” publicist Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat