Server: Vendet e BE-së duhet të ndjehen të turpëruara që nuk mbajtën premtimin

Aktuale

Server: Vendet e BE-së duhet të ndjehen të turpëruara që nuk mbajtën premtimin

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 22:46
Daniel Server

“Vendet e BE-së duhet të ndjehen të turpëruara se nuk e mbajtën premtimin për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaroi sot eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Server.

Në një intervistë për TVSH, Server tha se “evropianët nuk mbajtën premtimet që kishin bërë”.

“Evropianët nuk mbajtën premtimet që kishin bërë. Dhe kjo është një gjë e turpshme. Por premtimet e pambajtura nuk janë aq të rëndësishem sa reformat dhe ju bëni reformat jo për francezët, jo për holandezët, por për veten tuaj”, tha Server në RTSH.

“Fakt është që shqiptarët dhe Shqipëria duan që të jenë një vend evropian, duan të jetojnë me të njëjtat standarde që jetohet në Evropën Perëndimore, duan të kenë të njëjtin sistem politik si Evropa Perëndimore dhe kjo nënkupton që ju duhet të merreni me reformat dhe të përpiqeni t’i “bezdisni” deri sa ata të mbajnë premtimet e tyre. Evropa nuk është në ditët e veta të mira. Ekonomia e saj nuk është rritur prej vitesh. Po vuan nga emigrimi masiv që krijoi reagimin negativ politik, ka problemin e Brexit, pra ka një sërë vështirësish. Nga perspektiva europiane, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duken telashe të vogla. Por ju jeni të rëndësishëm, sigurisht për Uashingtonin dhe në një perspektivë afatgjatë edhe për Evropën, sepse ku do të gjej Evropa fuqinë e re punëtore, ku do të gjejë Evropa fuqi për rritjen ekonomike, – sigurisht nga Ballkani”, tha eksperti amerikan.

Ai foli edhe për mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Është revoltuese dhe në një farë mënyre është edhe më keq se vendimi për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ishte një premtim dhe duhet të kishte rezultate konkrete”, tha ai duke shtuar se “liberalizimi I vizave ka një ndikim të menjëhershëm sepse njerëzit mund të udhëtojnë”.

“Unë dua që kosovarët të udhëtojnë në Evropën Perëndimore. Siç janë gjërat deri më tani, ata mund të lëvizin pa vizë në Shqipëri apo Maqedoni të Veriut, por unë dua që ata të udhëtojnë dhe të shohin si është jeta në Paris. Është revoltuese. Madje atyre ju dha një listë edhe më e detajuar se çfarë duhet të bënin. Mendoj se ishin mbi 100 kërkesa. I plotësuan të gjitha dhe ende nuk i kanë dhënë liberalizimin. Është revoltuese”, theksoi Server.

I pyetur për dialogun me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje, ai tha se “një marrëveshje e mirë për Kosovën është ajo që njeh integritetin territorial, sovranitetin në të gjithë territorin, ashtu siç është në flamurin e Kosovës. Por gjithashtu mendoj se një zgjidhje e mirë do të ishte një zgjidhje që çon në decentralizimin e mëtejshëm, që lejon vetqeverisje, që t’ju them të vërtetën, kjo është tashmë realitet në Kosovë”.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka bërë mjaft të qartë se cilat janë limitet e Kushtetutës dhe mendoj se kjo duhet të respektohet . Është një vendim serioz, një vendim i detajuar. Mendoj që Serbia duhet të pranojë se nëse Kushtetuta e Kosovës është e vlefshme në të gjithë territorin e Kosovës, gjë që u pranua me marrëveshjen politike të vitit 2013, atëherë dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen në negociatat me Prishtinën”, deklaroi Server.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat