Sherifi i Nismës: PZAP-i korrigjoi padrejtësinë që tentohej t’u bëhej 42 mijë votuesve

Aktuale

Sherifi i Nismës: PZAP-i korrigjoi padrejtësinë që tentohej t’u bëhej 42 mijë votuesve

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 08:41
Bilall Sherifi

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka vlerësuar lart vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e votave të ardhur nga Serbia.

Ai ka thënë se një veprim i tillë ktheu integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 6 tetorit të cilin e kishte dëmtuar KQZ-ja.

Sherifi ka thënë se PZAP-i ka korrigjuar padrejtësinë që tentohej t’u bëhej 42 mijë votuesve të Republikës së Kosovës. “Vendimi i PZAP-it ka kthyer ligjshmërinë në vend sepse KQZ-ja me një numër të vendimeve të saj të paligjshme ka rrezikuar integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 6 tetorit. Me këtë vendim të PZAP-it mund të themi se në një masë të madhe është korrigjuar padrejtësia që tentohej t’u bëhej 42 mijë votuesve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë në tërësinë e votave 3 104 vota të ardhura në mënyrë të paligjshme nga Serbia”, ka thënë Sherifi.

Për devijimin dhe zvarritjen e këtij procesi ai e ka akuzuar KQZ-në. “Pajtohem se ka zvarritje të këtij procesi, mirëpo fajtor për këtë është KQZ-ja dhe askush tjetër”, është shprehur Sherifi.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës u është përgjigjur edhe kritikëve për zvarritje të procesit zgjedhor.

Ai ka thënë se shpejtësia e përmbylljes së këtij procesi nuk duhet të ketë prioritet në raport me saktësinë e leximit të votës, të cilën e ka dhënë sovrani më 6 tetor.

“Për partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe për shoqërinë civile, përparësi duhet të ketë cilësia e zgjedhjeve, cilësia e rezultatit dhe jo shpejtësia në dëm të cilësdo parti politike sepse, në fund të fundit, partitë politike nuk ekzistojnë për vete, por për qytetarët. Pra, kritikuesit kritikat e tyre duhet t’i adresojnë te fajtori kryesor dhe jo te Nisma apo PZAP-i. Ne ndihemi mirë, se çdo gjë që kemi konstatuar, tani ka dalë e vërtetë”, ka thënë Sherifi.

Ai është shprehur i bindur se rinumërimi i 1 472 kutive do ta rritë numrin e votave për koalicionin Nisma-AKR-PD.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat