Supremes i kërkohet të marrë masa juridike, jo vetëm të konstatojë shkelje ligji - Bota Sot
Supremes i kërkohet të marrë masa juridike, jo vetëm të konstatojë shkelje ligji

Aktuale

Supremes i kërkohet të marrë masa juridike, jo vetëm të konstatojë shkelje ligji

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 13:22
Foto nga takimi

Efikasiteti i sistemit gjyqësor në Kosovë po konsiderohet se është lëkundur shumë, pasi kohëve të fundit Gjykata Supreme megjithëse ka vendosur mbi mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruar nga ana e Prokurorisë së Shteti, e njëjta nuk i ka prishur vendimet e formës së prerë të gjykatave të ulëta, por po kufizohet vetëm në konstatimin e shkeljeve në mënyrë deklarative.

Kështu u tha në prezantimin e një analize dhe diskutimi që sot ka mbajtur Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), mbi rolin e vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe disiplinimin e gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme, teksa u kërkua më shumë angazhim më luftimin e këtyre dukurive, e sidomos në konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Drejtoresha e GLPS-së, Arbëresha Loxha tha se vendimet e tilla ku vetëm konstatohet shkelja e ligjit, pa ndonjë masë juridike, po ia humbë kuptimin dhe arsyet e vënies të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, i cili sipas saj është mjet i jashtëzakonshëm juridik.

“Janë paraqitur një mori rastesh nga Gjykata Supreme e Kosovës e cila ka vendosur në kërkesat në mbrojte të ligjshmërisë që janë paraqitur nga ana e Prokurorisë së Shtetit dhe ka nxjerr aktgjykime nga të cilat konstatohet shkelje e ligjit penal komform nenit 438 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. E njëjta nuk i ka prishur vendimet e prera të shkallës më të ulët në këtë rast të Gjykatës së Apelit, por kufizohet vetëm në konstatimin e shkeljes së ligjit penal. Pra edhe pse në këtë raste po konstatohet shkelja e ligjit penal të njëjtat po përfundojnë duke mos u marrë asnjë hap tjetër shtesë, as nga ana e Gjykatës Supreme, e as nga Gjykata e Apelit. E gjithë kjo po ia humbë kuptimin dhe arsyet e vënies të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë e cila është mjet i jashtëzakonshëm juridik. Kjo se këto vendime po trajtohen vetëm si aktgjykime të karakterit deklarativ, ose konstatues të shkeljes sà « ligjit dhe nuk po prodhojnë asnjë pasojë juridike të Gjykatës së Apelit”, tha ajo.

E për këtë çështje, ish kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani u shpreh se në bazë të kodit penal ata e kanë për detyrë vetëm të konstatojnë shkeljet, pa e ndryshuar vendimin e formës së prerë.

Teksa tha se ka ngecje në aspektin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi është i pa efekt vendimi nëse këtyre personave nuk iu konfiskohet pasuria e paligjshme.

“Ligji nuk e lejon një mundësi të tillë, nuk e di ku e keni lexu, por nëse e keni lexuar në Kodin Penal aty shkruan shumë mirë. Nëse kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është paraqitur në dëme të pandehurit dhe ligji është shkelur në favor të tij, Gjykata vetëm konstaton shkeljet pa e ndryshuar vendimin e formës së prerë. Kjo është ABC në drejtësi. Edhe ne do të dëshironim atë që iu po e thoni që gjykata të ketë mundësi të kthej çështjen në rigjykim, por nuk e lejon ligji…në aspektin e luftimit kemi ngecë në aspektin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi ngecë në kuptimin që me një dimension qëndrojnë shumë më prapa gjithë vendeve të rajonit në konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale. Ngase kur bëhet fjalë për këtë, fare është pa efekt sanksioni penal ose burgimi nëse këta përfitues të paligjshëm nuk preken në gjepin e tyre”, u shpreh Hasani.

Kurse, prokurorja në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula tha se janë dy kategori kur ka kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë. Sipas saj, nëse ato kërkesa janë të parashtruara nga të pandehurit, atëherë gjykata mund të kthej lëndën në rigjykim, por kur paraqiten nga prokurori përkatës, atëherë, ajo vetëm do të konstatojë shkeljen ligjore.

Pula po ashtu shpreh se duhet angazhim më i tepërt për të pas rezultate më të mira për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionit.

“Kemi dy kategori kur kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë ushtrohet nga i pandehuri dhe mbrojtësi, atëherë Gjykata Supreme ka mundësi të rikthej edhe një herë në rigjykim. Mirëpo janë raste që edhe Arbëresha i përmendi që këto kërkesa janë iniciuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit. Në këto raste ligji, kodi e shesh se vetëm konstatohen shkeljet. Prandaj kemi dy kategori për mbrojte të ligjshmërisë, se nga kush ushtrohen. Nëse ushtrohen nga i pandehuri dhe mbrojtësi, atëherë ato gjykata mund të ndryshojë dhe t’i kthej në rigjykim. Ndërsa të gjitha ato kërkesa të mbrojtjes së ligjshmërisë që bëhen më iniciativë të Prokurorit të Shtetit, atëherë në ato aktgjykime që i bie Gjykata Supreme vetëm konstatohet shkelja e ligjit”, pohoi prokurorja Pula

Ndërkaq, drejtori i Programit INL për Kosovën që e ka përkrahur këtë projekt, Shawn Waddoups u shpreh i kënaqur me analizën e projektit, teksa vuri në pah që ata do të angazhohen më tej në monitorimin e gjykatave.

“Ne jemi të përkushtuar të përkrahim shoqërinë civile, organizata sikur GLPS ka rëndësi që të krijoj një fabrikë në komunitet që t’i ndihmojë komunitetit ku kemi një përgjegjësi jo vetëm që të ulemi dhe të presim që Qeveria të bëjë diçka, por edhe të ofrojmë një mbrojte dhe mundësi, e jo vetëm që të ulemi dhe të presim”, tha ai.

Në këtë tryezë diskutimi po ashtu iu bë thirrje Gjykatës së Apelit që të rigjykojë rastet të cilat Gjykata Supreme ka konstatuar paligjshmërinë duke u bazuar në parimin Kushtetues.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat