Specialja ia merr pasaportat të dyshuarve, aktakuzat në javën e parë të dhjetorit - Bota Sot
Specialja ia merr pasaportat të dyshuarve, aktakuzat në javën e parë të dhjetorit

Aktuale

Specialja ia merr pasaportat të dyshuarve, aktakuzat në javën e parë të dhjetorit

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 17:37
Specialja

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë kanë intensifikuar veprimet e tyre karshi të ftuarve në cilësinë e të dyshuarit. Një numri të konsiderueshëm, kryesisht atyre që janë ftuar më herët nga kjo gjykatë, u janë marrë edhe pasaportat, në atë formë që të njëjtit mos të kenë mundësi dalje jashtë Kosovës.

Ish-luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë bërë shënjestër nga Prokuroria e Specializuar e Hagës, e që më vonë ndaj tyre pritet edhe aktakuzë, s’do të kenë më mundësi të dalin jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Burime të sigurta, tregojnë se një numri të konsiderueshëm të personave që janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve, u janë marrë dokumentet e udhëtimit në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit.

Të njëjtat burime kanë treguar se hetuesit e Speciales, kanë udhëtuar vetë nëpër destinacione të ndryshme dhe në lokacionet e të intervistuarve më parë, nga ku edhe i kanë marrë pasaportat.

E gjithë ecuria e këtij veprimi të hetuesve të Hagës, sipas burimeve të lajmit, rrjedh në atë formë, që aktakuzat e para që do të ngritën, do të bëhen të ditura për të pandehurit gjatë javës së parë të dhjetorit.

Në këtë formë, aktakuzat veç se janë përgatitur nga Prokurorët e Hagës, dhe ngritja e tyre, apo dhënia e kopjes për të pandehurit do të jetë veç procedurë formale e Institucionit të Prokurorisë së Specializuar.

Personat të cilët do të jenë subjekt i aktakuzës, do të arrestohen nga hetuesit e Hagës, duke nisur nga java e parë e dhjetorit, megjithëse jo të gjithë ata pritet të gjykohen prapa grilave; pra jo të gjithë mund të arrestohen.

Burimet  kanë treguar se shumë ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përmes mesazheve në “Viber” dhe thirrjeve telefonike, u është bërë e ditur se në dhjetor do të marrin shkresat e lëndës për të cilën akuzohen, nga ku më pas bashkë me hetuesit e Speciales do të nisen për në Hagë, dhe të njëjtit do të qëndrojnë atje deri në përfundimin e gjykimit.

Sidoqoftë, për arrestimin ose jo të të pandehurve, Prokuroria e Specializuar pritet të vendos në bazë të peshës së lëndës, numrit të dëshmitarëve dhe rrezikshmërisë që i njëjti t’i ikë drejtësisë apo të arratiset.

Megjithatë, pasaportat nuk u janë marrë ende figurave të larta të ftuara nga organi i akuzës në Hagë.

Nga kabineti i Haradinajt, kanë konfirmuar se kryeministrit në detyrë nuk i është marrë ende dokumenti i udhëtimit.

“Për të tjerët nuk dijmë, mirëpo kryeministrit në detyrë nuk i është marrë pasaporta”, kanë thënë nga kabineti i Haradinajt.

E pasaporta nuk i është marrë as kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit megjithëse i njëjti i përket grupit të fundit të personave që kanë marrë ftesë, dhe se i njëjti ende nuk është intervistuar.

Ajo që është e sigurt, është se ngritje të aktakuzave pritet të ketë në fillim të dhjetorit, mirëpo se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe më herët varësisht ecurisë dhe tempos së punës së hetuesve dhe prokurorëve të Hagës, thonë burimet.

Deri më tani, konsiderohet se mbi 250 persona janë ftuar nga Specialja në cilësi të ndryshme.

Ata që në të ardhmen do të përballen me aktakuza dhe procese gjyqësore, do të ndihmohen nga buxheti i shtetit, konkretisht nga Zyra për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të akuzuarit potencial nga Specialja.

Nga ky institucion, janë ftuar dy emra, Rilind Berisha e Driton Lajçi, që bashkë me ministrin në detyrë të Drejtësisë, Abelard Tahiri mund të merren në pyetje për rrjedhjen e informacioneve. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat