Maliqi: Shoqëria civile e shteti të bojkotojnë plotësisht UNMIK-un, këtë strofull të Rusisë në Kosovë

Aktuale

Maliqi: Shoqëria civile e shteti të bojkotojnë plotësisht UNMIK-un, këtë strofull të Rusisë në Kosovë

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 17:53
Agon Maliqi

Ditë më parë gazeta gjermane “BILD”, ka shkruar për rrezikun që Këshilli i Evropës me seli në Strasburg të Francës të përfshihet në një skandal diplomatik duke emëruar një ish-spiun të shërbimit inteligjent ushtarak rus si raportues për Kosovën. Bëhet fjalë për Alexei Kondratieë, i cili ka qenë në Kosovë gjatë viteve 1999-2001 si pjesë e shërbimit ushtarak rus.

E ndaj kësaj ka reaguar ashpër shoqëria civile në Kosovë. Analisti Agon Maliqi, teksa ka folur për një zhvillim të tillë, ka bërë një lutje për gjithë shoqërinë civile dhe për të gjithë zyrtarët e institucioneve të Kosovë që të bojkotojnë gjithçka që ndërlidhet zyrtarisht me UNMIK-un, institucion ky që Maliqi e cilëson si “strofull të ndikimit rus në Kosovë’.

Maliqi ka thënë se kur flet për bojkot, nuk e ka fjalën vetëm për të mos pranuar financa nga UNMIK-u, por edhe për të bojkotuar të gjitha aktivitet që ata i organizojnë.

“Një lutje modeste për kolegët e shoqërisë civile dhe zyrtarët e institucioneve publike, në vijim të reagimit të mirë ndaj Këshillit të Evropës për mundësinë që raportues për Kosovën të jetë ish-agjenti rus i GRU-së. Ka ardhur koha (në fakt ka qenë prej kohësh) që të bojkotohet gjithçka që ka lidhje zyrtare me UNMIK-un – strofullën e ndikimit rus në Kosovë – të cilin aleatët e Kosovës po mundohen ta mbyllin, por nuk po munden për shkak të rezolutës 1244. Nuk e kam fjalën vetëm për të mos pranuar financime prej UNMIK-ut, por edhe për bojkotin e pjesëmarrjes në çdo aktivitet të organizuar prej tyre. Kish me qenë kontribut modest, por mbi të gjitha mesazh simbolik dhe përmbushje e një detyrimi minimal qytetar në këtë periudhë.”, ka shkruar Maliqi.

Në fund ai ka thënë se nuk paragjykon kosovarët që punojnë në një mision të tillë të cilin e kanë vetëm thjesht një vend pune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat