Nis rinumërimi i 1 mijë e 428 vendvotimeve, QNR punon me dy ndërrime

Aktuale

Nis rinumërimi i 1 mijë e 428 vendvotimeve, QNR punon me dy ndërrime

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 17:56
Foto

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar rinumërimi i 1 mijë 428 vendvotimeve, për të cilat ka marrë vendim që të rinumërohen PZAP.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi u shpreh se janë 1 mijë e 428 vendvotime që do të rinumërohen dhe se kanë shtuar kapacitetet në mënyrë që rinumërimi të përfundojë sa më shpejt.

Elezi: Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në dy ndërrime

"Po fillon procesi i rinumërimit këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pas vendimit të PZAP. Pasi kemi marrë vendimin e PZAP dhe pasi kemi parë më vëmendje listën e vendvotimeve që duhet të rinumërohen, mund t'iu them se janë 1 mijë e 428 vendvotime që do të rinumërohen gjatë ditëve në vazhdim. Pra, nga lista e PZAP-it 30 vendvotime ishin të shënuara nga dy herë dhe 12 vendvotime të tjera janë rinumëruar më parë në QNR me vendim të KQZ-së. Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në 2 ndërrime si dhe është shtuar numri i tavolinave apo njësive të numërimit nga 23 në 32, në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt të përmbyllim të gjithë këtë proces. Për të vëzhguar procesin e rinumërimit janë njoftuar edhe subjektet politike, të cilat mund të dërgojnë nga 1 vëzhgues për secilën njësi numërimi", tha ai.

Elezi tha se KQZ po mundohet që sa më shpejt të përmbyllet procesi i rinumërimit, e për këtë ai tha se kanë shtuar numrin e tavolinave të numërimit.

Elezi: S’mund ta themi me saktësi sa do të zgjasë procesi i rinumërimit

"Nuk mund ta themi me saktësi apo të kemi ndonjë parashikim se sa do të zgjasë procesi i rinumërimit. Sigurisht se do të na duhen disa ditë, KQZ po mundohet maksimalisht që të kryejë sa më shpejt këtë proces të rinumërimit. Për këtë arsye është shtuar edhe kapaciteti nga 23 tavolina në 32, kjo besoj që ndoshta do të bëjë që procesi i rinumërimit të përfundojë më shpejt, pra disa ditëve. Por, gjithmonë në radhë të parë është saktësia e procesit dhe siç e kemi thënë edhe më herët jo domosdo shpejtësia për të përmbyllur sa më shpejt", tha ai.

Rinumërimi i 1 mijë e 428 vendvotimeve, Elezi tha se përbëjnë 56 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Ndërsa duke përfshirë edhe vendvotimet që më herët janë rinumëruar, ai tha se i bie që janë rinumëruar 89 për qind e vendvotimeve.

Elezi: 1.428 vendvotime përbëjnë 56.07% të vendvotimeve në nivel vendi

"Këto 1 mijë e 428 vendvotime për të cilat filloi rinumërimi përbëjnë 56.07 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Dihet që më herët në QNR me vendim të KQZ-së janë rinumëruar më shumë se 800 vendvotime apo 33 për qind e vendvotimeve. Pra, nëse flasim në total pra duke përfshirë ato të rinumëruara më herët dhe këto për të cilat ka marrë vendim PZAP, i bie që në nivel vendi të rinumërohen 89 për qind e vendvotimeve", tha ai.

PZAP të hënën ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve pas ankesave të pranuara nga subjektet politike që gjithsej ishin 102, si dhe ta pranojë të bazuar ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, që të largojë nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat